Ben Winston, producenti ekzekutiv i spektaklit të ndarjes së çmimeve “Grammy 2025”, në një intervistë ekskluzive për Rolling Stone, ka zbuluar disa nga sekretet më interesante të ngjarjes.
Një nga momentet më dramatike të natës, sipas tij, ishte rikthimi i këngëtarit The Weeknd në skenë pas një bojkoti disavjeçar. Rikthimi arriti të mbahej sekret deri në momentin e performancës.
VIDEO:
"Askush, as ata që ishin në sallë, nuk menduan se ai do të paraqitet”, ka thënë Winston.
Rikthimi i The Weeknd ka kërkuar koordinim të madh dhe një periudhë të gjatë negociatash.
Winston dhe ekipi i tij kanë kontaktuar ekipin e artistit dhe kanë zbuluar se qëndrimi i tij ndaj Akademisë së Muzikës ishte zbutur.
“Harvey Mason, Jr. ka bërë një punë të jashtëzakonshme me këtë Akademi, dhe mendoj se The Weeknd e pa këtë”, ka shpjeguar producenti ekzekutiv.
Kur bëhet fjalë për organizimin e një ngjarje kaq të madhe, Winston tregon se shtyrja e ceremonisë për shkak të zjarreve në Los Angeles nuk ishte opsion, sepse do të kishte sjellë pasoja të mëdha financiare dhe logjistike, duke prekur punonjësit dhe buxhetin.
Winston gjithashtu ka komentuar disa thashetheme rreth prodhimit, përfshirë ato që sugjeronin se producentët mund të kishin ditur fituesit përpara ceremonisë. Ai e mohon këtë, duke thënë se nuk e di kurrë se kush ka fituar.
Një moment tjetër i rëndësishëm ishte ndërrimi i këngës për performancën e këngëtarëve Bruno Mars dhe Lady Gaga. Ata kishin planifikuar të këndonin një hit të njohur, por vendosën ta ndërronin për të kënduar këngën “California Dreamin” për të mbështetur qytetin pas zjarreve.
VIDEO:
“Ata thanë: ‘Jo, e dini çfarë? Nuk do ta bëjmë këngën tonë të njohur... Në fakt, do të bëjmë diçka për qytetin’”, ka treguar Winston.
Një tjetër moment epik ishte performanca e këngëtarit Stevie Wonder për ta nderuar figurën e Quincy Jonesit.
“Kur e fton Stevie Wonderin për të marrë pjesë në shfaqje, duhet të pranosh dy gjëra: do të marrësh një nga ikonat më të mëdha që jeton dhe ai do të bëjë atë që dëshiron dhe do të marrë sa kohë të dojë”, ka shpjeguar Winston.
Gjigandi i transmetimit, CBS dha hapësirë prej 30 minutash për Wonderin, që tregon besimin e madh që kishte ndaj tij.
Winston gjithashtu ndau historinë e rikthimit të aktorit të njohur Will Smith në skenën e Grammyt, pas incidentit me shuplakën që i kishte dhënë prezantuesit Chris Rock në ceremoninë “Oscar”.
“Të gjithë donin që ai të merrte pjesë... ne jemi një shfaqje tjetër. Nuk është për mua të komentoj shfaqje të tjera. Jam krenar që prodhoj këtë shfaqje... Mund të bëjmë atë që duam”, ka thënë Winston.
Një moment tjetër i veçantë ishte performanca e yllit Chappell Roan me këngën “Pink Pony Club”.
Një nga arritjet më të mëdha të këtij edicioni të “Grammyt” ishte përzierja e të nominuarve për çmimin “Artisti i Ri më i Mirë”, që kërkoi një koordinim të përsosur, për të cilën Winston ka thënë se ishte gjëja më e vështirë që ka bërë ndonjëherë në ndonjë shfaqje.