Rigjykimi i producentit të filmave, Harvey Weinstein, në New York ka nisur me akuza të reja për sulm seksual.
Gjykimi po mbahet pasi Gjykata e Lartë e shtetit e rrëzoi dënimin e tij të mëparshëm, duke e quajtur gjykimin e parë të padrejtë për shkak të provave të papërshtatshme që ishin pranuar, ka raportuar The Guardian.
Kaja Sokola, viktima e re që flet për herë të parë
Prokurorët, për herë të parë, zbuluan emrin e Kaja Sokolas, një ish-modele me origjinë polake, e cila e akuzon Weinstein për sulm seksual kur ajo ishte vetëm 16 vjeçe. Ajo pretendon se në vitin 2002, pasi udhëtoi e vetme në New York për një punë modelingu, u takua me Weinstein, i cili e ftoi për drekë me pretekstin e një roli në film, por më pas e çoi në apartamentin e tij. Aty, sipas akuzës, ai i kërkoi të hiqte bluzën dhe e ngacmoi seksualisht, duke e detyruar t'i prekte organet e tij gjenitale.
Më pas, në vitin 2006, Weinstein akuzohet se e detyroi Sokolan të shkonte në dhomën e tij të hotelit, duke i premtuar role për filma, dhe aty kreu marrëdhënie seksuale orale me forcë ndaj saj, ndërkohë që ajo qante dhe i lutej të ndalonte.
“Pse ky njeri kishte fuqi kaq të madhe ndaj këtyre grave? Sepse Harvey Weinstein e përcaktonte vetë fushën e lojës. Ai prodhonte dhe drejtonte heshtjen e tyre për vite me radhë”, ka thënë prokurorja Shannon Lucey përpara jurisë.
Avokati mbrojtës i Weinstein, Arthur Aidala, e përshkroi marrëdhënien me viktimat si një “marrëveshje mes të rriturish” në botën e showbiz-it.
“Divani i audicioneve nuk është një skenë krimi”, ka thënë ai para jurisë.
Ai ka shtuar se prokuroria po paraqet një histori që “është si një trailer filmi që dështon në shfaqje”.
Në këtë rigjykim, ndryshe nga atmosfera e parë në vitin 2020 kur turma protestuesish jashtë brohorisnin “përdhunues”, kësaj radhe kishte qetësi. Megjithatë, avokatja e Sokolas, Lindsay Goldbrum, e quajti këtë gjyq “sinjal për të mbijetuarat e tjera se sistemi po ecën përpara, dhe se ia vlen të flasësh, edhe kur gjithçka duket e pamundur”.
Sipas prokurorisë, Sokola edhe pse e traumatizuar, mbajti kontakte me Weinstein për shkak të ndikimit që ai kishte në industrinë e filmit. Ai madje i dërgoi një letër rekomandimi për shkollën e aktrimit dhe e ndihmoi të bëhej pjesë në sfondin në një film.
“Pabarazitë e fuqisë shpesh i shtyjnë viktimat të sillen në mënyra që njerëzit e zakonshëm mund të mos i kuptojnë”, ka theksuar prokurorja Lucey.
Akuza të shumta në proces
Përveç akuzës që lidhet me Sokolan, Weinstein po gjykohet edhe për një akt seksual kriminal ndaj Miriam Haley në vitin 2006 dhe për përdhunimin e aktores ambicioze Jessica Mann në vitin 2013.
Në vitin 2020, Weinstein u shpall i pafajshëm për dy akuza të tjera të rënda: përdhunim i shkallës së parë dhe sulm seksual. Tashmë, në moshën 73-vjeçare dhe në një karrige me rrota, ai vazhdon të deklarohet i pafajshëm.
Siç raportoi agjencia e lajmeve Associated Press, të tri gratë, Haley, Mann dhe Sokola, kanë pranuar publikisht të flasin për rastet e tyre, duke u dhënë zë të fuqishëm viktimave të abuzimeve seksuale në industrinë e showbizit.