BBC ka raportuar se pesë persona janë akuzuar lidhur me vdekjen e këngëtarit të grupit të njohur “One Direction”, Liam Payne, në Buenos Aires, Argjentinë.
Këngëtari 31-vjeçar vdiq më 16 tetor, pasi ra nga ballkoni i katit të tretë të një hoteli.
Ata që janë akuzuar për vdekjen e tij përfshijnë menaxheren e hotelit, Gilda Martin, punonjësin Esteban Grassi si dhe Roger Nores, një person që raportohet të jetë mik i Paynet, të cilët akuzohen për vrasje nga pakujdesia.
Dy persona të tjerë, Braian Paiz dhe Ezequiel Pereyra, të cilët gjithashtu dyshohet se kanë punuar në hotel, akuzohen për furnizim me drogë.
Sipas autoriteteve të Argjentinës, dy nga të akuzuarit janë dërguar në burg, por emrat e tyre nuk janë publikuar ende. Ata do të paraqiten në gjykatë brenda 24 orëve të punës, sipas informacionit të dhënë nga faqja argjentinase Infobae.
Në nëntor, autoritetet njoftuan se tre persona ishin akuzuar lidhur me vdekjen e Payne, por nuk kishin zbuluar emrat e tyre në atë kohë.
Roger Nores, i cili foli për mediumin TMZ pas vdekjes së Payne, pati thënë se ai ishte një “mik shumë i mirë” i këngëtarit dhe se ata kishin kaluar kohë së bashku në ditën e ngjarjes fatale. Ai pati thënë se Payne “dukej i gëzuar” kur u ndanë rreth një orë para se ai të binte nga ballkoni.
Pas vdekjes së Payne, policia gjeti substanca narkotike në dhomën e tij të hotelit, si dhe objekte dhe mobilje të dëmtuara. Personeli i hotelit kishte bërë dy thirrje urgjente, duke thënë se këngëtari kishte konsumuar “shumë alkool dhe drogë” dhe po shkatërronte gjithë dhomën.
Testet toksikologjike zbuluan më vonë se në trupin e Payne kishte mbetje alkooli, kokainë dhe një antidepresiv me recetë.
Ekzaminimi post-mortem tregoi se shkaku i vdekjes ishte “trauma e shumëfishtë” dhe “gjakderdhjet e brendshme dhe të jashtme” si pasojë e rënies nga ballkoni. Raportet mjekësore kanë sugjeruar se Payne mund të ketë rënë në një gjendje gjysmë të pavetëdijshme ose të pavetëdijshme plotësisht, duke eliminuar mundësinë e një veprimi të vetëdijshëm ose të qëllimshëm.
Autoritetet kishin thënë se kanë vlerësuar se Payne nuk ishte i vetëdijshëm për veprimet e tij në momentin e rënies.
Liam Payne u bë një nga emrat më të njohur të muzikës pop pas paraqitjes së tij në spektaklin “The X Factor” dhe pas suksesit të grupit “One Direction” në vitin 2010, përpara se grupi të shkonte në një pauzë të pacaktuar në muajin janar të vitit 2016.
Funerali i Payne u mbajt muajin e kaluar në Amersham, Buckinghamshire.
Ish-anëtarët e grupit “One Direction”, Harry Styles, Louis Tomlinson, Niall Horan dhe Zayn Malik, ishin ndër ata që morën pjesë, përveç të dashurës së Payne, Kate Cassidy, dhe ish-partneres së tij Cheryl, me të cilën ai kishte një djalë.