Qindra artistë të njohur në botë, përfshirë, Stevie Wonder, Billie Eilish, Nicki Minaj, Katy Perry e J Balvin, i janë bashkuar përfaqësuesve të artistëve të mëdhenj si Bob Marley e Frank Sinatra të martën duke nënshkruar një letër të hapur kundër përdorimit të Inteligjencës Artificiale (IA), raporton CNN.
Aleanca e të Drejtave të Artistëve po bën thirrje kundër programuesve të teknologjisë së IA-së, në mënyrë që të ndërpresin programet kopjuese që përdoren për të rikrijuar tinguj.
Letra, që për herë të parë u publikua nga revista “Variety”, akuzon IA-në për devalvim të vlerave të artistëve duke përdorur këtë teknologji për të zëvendësuar punën e muzikantëve e kompozitorëve.
“Duket si gjë e parregulluar, pasi artistët patën paralajmëruar se IA-ja do të degradojë vlerat e punës tonë dhe do të na privojë nga kompensimi fer i punës që bëjmë”, thuhet në letër.
Kjo letër u kërkon programerëve të IA-së të garantojnë që nuk do ta përdorin krijimtarinë e artistëve në fjalë për të krijuar muzikë nga kjo inteligjencë.
“Ky sulm ndaj krijimtarisë njerëzore duhet ndaluar. Ne duhet të mbrohemi nga përdorimi grabitqar i IA-së që vjedh zërat dhe meloditë e artistëve profesionalë dhe dhunon të drejtat e krijuesve duke shkatërruar ekosistemin e muzikës”, thuhet ndër të tjera në letër.
Ndërkohë Associated Press ka raportuar se kjo letër nuk e kërkon ndalimin e përdorimit të IA-së në përgjithësi, por që të mos përdoret për kompozim.
Përgjatë vitit të kaluar skenaristët e aktorët e Hollywoodit kanë qenë në grevë të gjatë duke kundërshtuar përdorimin e IA-së në fushën e filmit.
Ekspertët bëjnë të ditur se implikimet e vërteta të IA-së në fushën e kreativitetit janë ende shumë të paqarta.
Muzikantët që janë firmosur letrën janë: Jon Bon Jovi, Billie Eilish, Camila Cabello, Zayn Malik, Jason Isbell, Katy Perry, Miranda Lambert, Nicki Minaj, Noah Kahan, Imagine Dragons, Rosanne Cash dhe më shumë së 100 të tjerë.