Ekipi i filmit “A Quiet Place: Day One”, parakaloi mbi qilimin e kuq të shtruar për premierën e tij në New York, pak ditë para lansimit të horrorit të popullarizuar nëpër kinema.
Ky është vazhdim i filmave shumë të suksesshëm në arkat filmike, “A Quiet Place”, por që kthehet prapa në histori. Në rolet kryesore vijnë aktorët e shquar të hollywoodit, Lupita Nyong’o, Joseph Quinn, Djimon Hounsou dhe Alex Wolff.
“Mendoj se sfida më e madhe është që nuk mund të fshihesh pas fjalëve. Nuk mund të bazohesh në taktikat me të cilat je mësuar të shprehesh. Por ka diçka vërtet çliruese në mungesë të dialogut, sepse si qenie njerëzore ne gjithmonë komunikojmë me më shumë se fjalët tona. Gjithmonë angazhohemi në shprehjet e fytyrës dhe gjuhën e trupit që priremi t’i injorojmë. Prandaj, kjo ishte një mundësi e mirë për të qenë sa më real dhe për të komunikuar në atë mënyrë”, deklaroi Nyong’o.
I pyetur si e kanë arritur ta ndërtojnë kiminë mes tij dhe Lupita Nyong’o, pa pasur shumë dialog në film, aktori Joseph Quinn tha: “Epo, është një prej atyre gjërave që nuk mund ta sforcosh. Ajo është një aktore jashtëzakonisht e talentuar dhe një person zemërgjerë, dhe këto janë gjërat që e kanë bërë punën time shumë më të lehtë. Thjeshtë u desh të dëgjoj dhe të reagojë në mënyrën e duhur për filmin, dhe të jem sa më i sinqertë në emocionet e mia. Ishte vërtetë një kënaqësi të punoja me Lupitan në këtë projekt”.
Kurse aktori afrikan, Djimon Hounsou, para gazetarëve të pranishëm në premierë vendosi të prek tema pak me serioze.
“Ka gjithnjë e më shumë njerëz në botë. Natyrisht, ne nuk jemi njerëz që kujdesemi shumë për mjedisin, kështu që po e shkatërrojmë gjithnjë e më shumë planetin. Unë mendoj se, po, në mënyrë të pashmangshme do të vijë një kohë kur do të na duhet t’i shlyejmë dëmet që kemi shkaktuar në Tokë. Ndoshta një nga ato momente mund të jetë eliminimi i një numri të madh njerëzish”.
Filmi i zhanrit horror vjen me regji të Michael Sarnoskit dhe fokusohet në ngjarjet që ndodhin në ditën e parë kur jashtëtokësorët, të cilët nuk shohin por kanë dëgjim shumë të ndjeshëm vijnë në tokë, dhe katastrofa që ndodh në një nga qytetet më të mëdha në botë, New York City. Dy filmat e parë, “A Quiet Place”, me regji të John Krasinskit dhe protagoniste aktoren Emily Blunt, kanë shënuar sukses të jashtëzakonshme me fitimin e më shumë se 640 milionë dollarëve në arkat filmike botërore. Edhe filmi i tretë pritet të gëzoj sukses të ngjashëm. Krasinski kësaj radhe vjen si producent i filmit bashkë me, Michael Bay, Brad Fuller dhe Andrew Form.
“A Quiet Place: Day One” debuton nëpër kinematë e Amerikës sonte.
VIDEO - TRAILER: