Post Malone dhe Doja Cat, dy nga yjet më të mëdha të muzikës, do të jenë kryetitujt këtë vit në festivalin "Global Citizen" që do të mbahet në Parkun Qendrore të New Yorkut, më 28 shtator.
Organizatorët janë fokusuar në mobilizimin e të rinjve për të ndihmuar në adresimin e problemeve urgjente të botës, raporton AP.
Pandemia e COVID-19 fshiu vitet e përparimit që kishte bërë bota drejt përfundimit të varfërisë ekstreme, dhe këto pengesa janë ndërlikuar nga luftërat në Ukrainë dhe Gaza dhe po ashtu nga ndryshimet klimatike, sipas menaxherit të Global Citizen, Hugh Evans.
Ai vlerëson se rreth 10% e popullsisë së botës tani jeton në varfëri ekstreme, dhe Kombet e Bashkuara presin që 575 milionë njerëz të jenë në atë nivel në vitin 2030, pavarësisht planeve afatgjata për ta zhdukur atë.
“Në mjedisin ku ne kemi nevojë për më shumë ambicie, ne po shohim se shumë kombe tërhiqen”, ka thënë Evans për Associated Press.
"Kjo është arsyeja pse ne e dimë se puna jonë është më urgjente se kurrë dhe pse jemi kaq të emocionuar që artistët më të mëdhenj të botës po rriten në një kohë kur ata janë absolutisht të nevojshëm”, ka shtuar ai.
Global Citizen ka bashkëpunuar prej kohësh me artistë të mëdhenj – nga Beyonce dhe Jay-Z tek Queen, Stevie Wonder te Ed Sheeran, për të gjeneruar vëmendje që mund të shndërrohet në veprime.
Organizata jofitimprurëse thotë se ngjarjet e saj në dekadën e fundit kanë gjeneruar më shumë se 14 miliardë dollarë drejt eliminimit të varfërisë ekstreme. Evans ka thënë se titullarët e këtij viti kanë një lidhje të rëndësishme me të rinjtë, të cilët janë thelbësorë për të ndryshuar mënyrën se si udhëheqësit reagojnë ndaj nevojave aktuale.
Malone e mishëron atë ndjenjë në muzikën e tij aktuale. Kënga e tij "Pour Me a Drink" është një duet me Blake Shelton. Dhe deri më tani këtë vit, ai ka bashkëpunuar edhe me Taylor Swift, Beyonce dhe Morgan Wallen.
Doja Cat, aktualisht në një turne evropian për promovimin e albumit të saj, njihet edhe për bashkëpunimet e saj.
"Ne të gjithë kemi një rol që mund të luajmë për t'i dhënë fund varfërisë ekstreme dhe për të mbrojtur barazinë”, është shprehur Doja Cat në një deklaratë.
“Mezi pres të jem pjesë e kësaj mbrëmje të madhe ndryshimesh pozitive”, ka shtuar ajo.
Biletat për festivalin, i cili do të përfshijë gjithashtu yllin e muzikës “Country”, Jelly Roll dhe këngëtari dhe reperi portorikan, Rauw Alejandro, janë falas.
"Global Citizen" po punon për të bindur vendet që të rrisin kontributet e tyre në Shoqatën Ndërkombëtare të Zhvillimit të Bankës Botërore, fond i dedikuar për rritjen e standardit të jetesës në 75 vendet me të ardhurat më të ulëta në botë.