Aktori Pierce Brosnan ka thënë se mendon që James Bondi i ardhshëm duhet të jetë britanik, ndërsa në një dokument që ka rrjedhur është konfirmuar se personazhi do të mbetet burrë, ka raportuar The Guardian.
Ish-agjenti 007, i cili e portretizoi Bondin nga viti 1995 deri në vitin 2002, ka thënë se ky është një vendim i mirëpritur, veçanërisht pas spekulimeve se një aktor amerikan mund të merrte rolin.
Brosnan gjithashtu e ka cilësuar si të drejtë vendimin për t’ia kaluar të drejtat autoriale “Amazon-MGM”, duke theksuar se shpreson që kompania ta trajtojë karakterin me “dinjitet, imagjinatë dhe respekt”.
Ky zhvillim vjen pasi e drejta autoriale për krijimin e filmave “James Bond” u shit për 770 milionë funte britanike, duke sjellë një ndryshim të madh në drejtimin e sagës së spiunazhit.
Për dekada, seria e filamve është mbikëqyrur nga Barbara Broccoli dhe Michael G. Wilson, pasardhësit e producentit Albert “Cubby” Broccoli. Megjithatë, me marrëveshjen e fundit, ata nuk do të kenë më kontroll mbi filmat, pas përplasjeve të raportuara për të ardhmen e 007.
Në mesin e aktorëve të favorizuar për të luajtur Bondin e ardhshëm janë Aaron Taylor-Johnson, Theo James dhe James Norton.
Ndërkohë, një burim brenda “Amazonit” ka pohuar për Mail Online se aktori i ri “duhet të jetë britanik ose nga Komonuelthi – dhe duhet të jetë burrë”.
Përgjigjet e adhuruesve ndaj këtyre zhvillimeve kanë qenë të përziera. Disa kanë shprehur shqetësim për ndikimin e një kompanie amerikane mbi karakterin, ndërsa të tjerë shpresojnë se "Amazon" do ta modernizojë figurën e Bondit për ta bërë atë më tërheqës për audiencat e reja.
Me vetëm pesë filma të publikuar në 23 vjetët e fundit, James Bondi përballet me konkurrencë nga personazhe më bashkëkohore të aksionit si John Wick dhe Jason Bourne.
“Jam shumë krenar që isha pjesë e kësaj historie dhe trashëgimie. ‘GoldenEye’ e ringjalli Bondin dhe e çoi përpara... Gjithçka ndryshon, gjithçka transformohet, dhe unë uroj që gjithçka të shkojë mirë”, ka thënë Brosnan.