Policia spanjolle ka arrestuar pesë persona të cilët akuzohen se i mashtruan dy gra duke jua marrë 325 mijë euro përmes platformave online, duke u paraqitur sikur janë ylli i Hollywoodit, Brad Pitt.
Të dyshuarit kanë rënë në kontakt me gratë duke përdorur disa faqe interneti për adhuruesit e fituesit të çmimit Oscar, gjë që bëri të besojnë se kanë “lidhje sentimentale me të”, deklaruan autoritetet spanjolle të hënën, shkruan The Guardian.
Duke u paraqitur si Pitt, anëtarët e bandës supozohet se kanë inkurajuar gratë të investojnë në projekte të shumta, të cilat nuk ekzistonin.
Një grua, nga Andaluzia u mashtrua duke shpenzuar 175 mijë euro, ndërsa tjetra nga Basque, humbi 150 mijë euro.
“Kriminelët kibernetikë, për t’i kapur viktimat, kanë studiuar mire llogaritë e tyre në rrjete sociale dhe kanë krijuar një lloj profili psikologjik për to, duke zbuluar se të dyja janë gra që mund t’i mashtronin lehtë, që ju mungonte dashuria dhe në fazë të depresionit”, ka deklaruar policia.
Në deklaratën e autoriteteve gjithashtu thuhet se mashtruesit përdornin platforma për mesazhe direkte e e-maile derisa filluan t’i bindnin se janë duke biseduar me vetë Brad Pittin ne platformën WhatsApp.
Aty mashtruesit premtonin, në emër të aktorit, se do të kenë lidhje romantike me viktimat.
Policia arrestoi pesë persona nga regjioni i Andaluzisë, përfshirë liderët e dyshuar të grupit.
Janë bastisur pesë shtëpi, janë sekuestruar disa telefona mobilë, kartela bankare, dy kompjuterë dhe një ditar në të cilin ishin të shkruara frazat që përdoreshin nga mashtruesit për t’i tërhequr viktimat.
Autoritet patën mundësi t’i rikthejnë 85 mijë euro që mashtruesit i morën nga viktimat.