Princesha e Uellsit, Kate Middleton, është shfaqur të dielën në tribunat e turneut prestigjioz të “Wimbledonit”, në një nga paraqitjet e saj të rralla në publik.

Ajo ka ndarë edhe trofetë në finalen e meshkujve, ka shkruar revista Elle.



Kate shpesh e shfaq stilin e saj të veçantë të veshjes në këto ngjarje, duke zgjedhur fustane të bardhë me pika të zeza, fustane me ngjyra të ndezura si dhe printe nga markat e saj të preferuara.
Këtë herë ajo u vesh me një markë që zakonisht e vishte kunata e saj, gruaja e princit Herry, Meghan Markle.
Për ta shikuar përballjen Novak Gjokoviqit - Carlos Alcaraz, që ishte një përsëritjeje e finales së vitit të kaluar, ajo zgjodhi një fustan ngjyrë vjollcë nga marka britaneze, “Safiyaa”.
Princesha veshi fustanin e quajtur “Cecilia” dhe u prit me duartrokitje të shumta në fushën qendrore ndërsa po shkonte tek ulësja bashkë me të bijën, Charlotte, e motrën Pippa Middleton.

Organizatorët e kampionatit të tenisit, “Wilbledon”, shpresonin shumë që princesha sivjet të mund t’ua ndajë trofetë fituesve, pasi ajo ndërkohë është duke u përballur me një lloj të kancerit dhe nuk po bën paraqitje të shumta publike.
Princesha gjithashtu është patrone e klubit të tenisit e kriketit “All England” në fushat e të cilit mbahet “Wimbledon” dhe është i vetmi kampionat i tenisit që ende mbahet në bari natyral.
“Shpresojmë që princesha të mund t’i ndajë trofetë, si patrone e klubit, por prioritet është shëndeti i saj. Nuk e di se kush do të jetë personi alternativ për ndarjen e trofeve. Kur të dëgjojmë se çfarë vendimi merr princesha atëherë do të vendosim se cila është gjëja e duhur për të bërë”, pati thënë kryetarja e klubit, Debbie Jevans.
Alcarazi, të dielën fitoi 3:0 në sete ndaj Gjokoviqit, 6:2, 6:2 dhe 7:6. Seti i fundit u vendos në “tiebreak”, me Alcarazin që fitoi 7:4.