Kompania e njohur “Universal Music Group” ka anuluar të gjitha ngjarjet e planifikuara për javën e spektaklit të ndarjes së çmimeve “Grammy”, përfshirë shfaqjen e artistëve të shtunën dhe festën pas ndarjes së çmimve të dielën, ngjarje këto që mbahen në kuadër të spektaklit të madh.
Kompania ka vendosur që të ridrejtojë fondet që do të përdoreshin për këto ngjarje në ndihmë të atyre që janë prekur nga zjarret në Los Angeles, ka shkruar Variety.
“Sot kemi anuluar të gjitha ngjarjet tona të lidhura me ‘Grammy-t’, përfshirë shfaqjen e artistëve dhe festën pas Grammy-ve dhe do të ridrejtojmë fondet që do të ishin përdorur për këto ngjarje për të ndihmuar ata që janë prekur nga zjarret. Falënderojmë thellësisht ekipet e shpëtimit dhe stafin emergjent, të cilët vazhdojnë të kryejnë detyra heroike”, ka thënë “Universal” përmes një deklarate.
Në këtë deklaratë gjithashtu thuhet se “L.A. është shtëpia e shumë prej nesh” dhe se janë të angazhuar për të ndihmuar dhe mbështetur komunitetin muzikor, artistët, ekipet dhe njerëzit e Los Angelesit për ta kaluar këtë periudhë të vështirë.
Vitin e kaluar, “Universal” kishte anuluar shfaqjen e artistëve për shkak të largimeve nga puna brenda kompanisë, por festa pas Grammy-ve kishte vazhduar, pavarësisht reshjeve të mëdha të shiut në Los Angeles.
Zjarret që kanë shkatërruar disa lagje në zonën e Los Angeles për pesë ditët e fundit kanë prekur komunitete të tilla si Altadena, Sylmar, Granada Hills, Studio City dhe Runyon Canyon.
Javën e kaluar, ishin zhvilluar diskutime në industrinë muzikore nëse duhet të shtyhej ceremonia e ndarjes së çmimeve “Grammy”, e cila është e planifikuar të mbahet më 2 shkurt.
Megjithatë, të hënën në mëngjes, drejtori ekzekutiv i “Recording Academy”, Harvey Mason Jr., dhe kryetarja e bordit të akademisë, Tammy Hurt, konfirmuan se ceremonia do të zhvillohet ashtu siç ishte parashikuar, më 2 shkurt.
“Për këtë vit, ngjarja do të ketë një qëllim të rinovuar: mbledhjen e fondeve shtesë për të mbështetur përpjekjet për ndihmë ndaj zjarreve dhe nderimin e guximit dhe dedikimit të ekipeve të shpëtimit që rrezikojnë jetën e tyre për të na mbrojtur”, thuhet në deklaratën e “Recording Academy”.