Reperi P.Diddy, i cili javën e kaluar është arrestuar nën akuzat për trafikim seksual, shantazh e detyrim, po shqetësohet se dikush mund të tentojë ta helmojë përmes ushqimit në qendrën e paraburgimit në Brooklyn.
Kështu ka thënë ish i burgosuri Larry Levine, në një intervistë për “News Nation”.
“Imagjinoni sikur dikush ta paguajë dikë nga brenda që ta helmojë ushqimin e tij në mënyrë që të pësojë sulm në zemër e të vdesë”, ka thënë Levine i cili ka kryer dënimin.

Ai ka thënë se Diddy po refuzon ta konsumojë ushqimin, pasi po ndihet paranojak dhe po frikësohet.
“Nëse dikush i thotë ndonjë roje burgu që të bëjë diçka të tillë, kjo do të mund të ndodhte sepse ata nuk fitojnë shumë para, kurse jashtë ka persona që mund të ju ofrojnë shuma parash që të bëjnë gjëra të tilla”, ka thënë ndër të tjera Levine.
Diddy është arrestuar dhe duhet të përballet me një numër padish nën akuzat për shantazh e abuzim ndër vite, ndërkohë që përdorte detyrimin e dhunën për ti kontrolluar viktimat e tij.

“Ai është me të vërtetë në paranojë. Ai është shumë, shumë i frikësuar. Nuk di se çfarë të mendojë, nuk di kujt t’i besojë e as çfarë të besojë”, ka thëne tutje Levine.

Raportohet se Diddy është duke u mbajtur në të njëjtën njësi me mashtruesin e kriptovalutave Sam Bankman-Fried.
Mendohet se njësia në fjalë ka kapacitet për 18 deri në 20 persona dhe është e rezervuar për njerëz të profilit të lartë apo për ata që bashkëpunojnë me autoritetet.
Bankman-Fried është shpallur fajtor për mashtrim në fund të vitit 2023 dhe është dënuar me 25 vjet burgim.
Sipas Levinet, Diddy ka pasur vizita nga njerëz të religjionit, takime me dietologë dhe vizita nga mjekët e shëndetit mendor.
“Ai ende është nën vëzhgim për vetëvrasje. Një psikolog e viziton disa herë brenda ditës”, ka thënë Levine, ndërkohë që ka shtuar se nuk është gjë e pazakontë që të burgosurit e ri të refuzojnë ta hanë ushqimin.
Pasi Diddy po mbahet ne izolim, Levine nga eksperienca që ka pasur, ka treguar se ushqimi i reperit mund të jetë i ftohtë, duke shtuar se ka myk në shumicën e atij ushqimi dhe mund të sëmuresh.
Reperi amerikan është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave dhe i është mohuar dy herë lirimi me kusht, ani pse ekipi ligjor i tij ka ofruar 50 milionë dollarë që të lirohet e të mbahet nën monitorim.
Prokurorët kanë thënë se deri më tash kanë intervistuar më shumë se 50 viktima e dëshmitarë dhe po presin që numri do të rritet.