Reperi P.Diddy, emri i vërtetë i të cilit është Sean Diddy Combs, është paditur për herë të nëntë për trafikim me qenie njerëzore e sulm seksual.
Padia e nëntë kundër reperit vjen nga një ish-aktore e filmave për të rritur, Adria English, e cila thotë se ka punuar për reperin që nga viti 2004 e deri në vitin 2009, shkruan CNN.
Në padinë prej 114 faqesh, pretendohet se Combs si dhe të tjerë pjesëmarrës, e kanë përdorur Englishin si armë për t’i tërhequr të ftuarit e për të bërë përfitime financiare nga ta në “White Parties” që organizoheshin në shtëpitë e reperit në Hamptons, New York e Miami të Floridës.
Në dokumentet e padisë që u paraqitën në gjykatën e New Yorkut, gjithashtu thuhet se Combs e ka detyruar Englishin në prostitucion në mes të viteve 2006 dhe 2009.
Padia është e nënta me radhë kundër Combs, që nga padia e parë kundër tij që u ngrit në nëntor të vitit të kaluar nga ish-partnerja e tij për 10 vjet, këngëtarja Cassie, padi kjo që u zgjidh në instanca private një ditë pas ngritjes.
“Pavarësisht se sa padi merr z. Combs, nuk do ta ndryshojnë faktin se ai nuk ka trafikuar njerëz asnjëherë dhe nuk ka sulmuar seksualisht askënd. Tani po jetojmë në një botë kur kushdo mund të ngrejë padi për çfarëdo pa asnjë lloj prove. Fatmirësisht, ekziston një proces gjyqësor që është fer dhe i paanshëm që do të gjejë të vërtetë dhe z. Combs beson se do të triumfojë në gjykatë kundër këtyre pretendimeve të pabaza”, ka thënë në një deklaratë avokati i Combs, Jonathan Davis.
Combs, përmes llogarisë së tij në rrjetin social Instagram i pati mohuar të gjitha akuzat duke thënë se nuk i ka bërë keq askujt.
Mirëpo pasi CNN pati publikuar pamjet e kamerave të sigurisë së hotelit “InterContinental”, ku shihet Combs duke sulmuar fizikisht Cassien në hollin e hotelit në vitin 2016, Combs kishte publikuar një video në Instagram, përmes së cilës kishte kërkuar falje.