Reperi P.Diddy, emri i vërtetë i të cilit është Sean Diddy Combs, është paditur për të shtatën herë me radhë.
Padia e shtatë ndaj reperit që mban titullin “Ikonë globale” nga MTV, është ushtuar nga ish-studentja e teknologjisë në Institutin e Modës, April Lampros, e cila e akuzon atë për drogim dhe dhunim, raporton TMZ.

April në padi pretendon se reperi i dërgonte shumë dhurata e lule pasi u takuan New York, por gjërat filluan të përkeqësoheshin pasi u takuan në një bar në vitin 1995 dhe përfunduan në një dhomë hoteli.
Ajo pretendon se Diddy fillimisht i ka dhënë për të pirë alkool dhe pasi që janë kthyer në dhomën e hotelit ku po qëndronte ai, ajo filloi të ndihej keq dhe më pas reperi filloi të ushtronte dhunë ndaj saj.
Ajo thotë se ka qenë e vetëdijshme por e paaftë për t’u mbrojtur “kur ai e dhunoi seksualisht”.
Të nesërmen April thotë se u zgjua nga gjumi për ta gjetur veten të zhveshur e lënduar.
Muaj më pas, modelja ka thënë se reperi ishte munduar t’i afrohej prapë, duke e ftuar në ngjarje të ndryshme të industrisë.
“Ajo ishte një studente me shpresë dhe naive. Ajo i besonte z.Combsit dhe vendosi t’i jepte edhe një shans”, ka thënë avokati i saj.
Por ndërkohë që të dy po shkonin tek vetura e tij në një garazh parkimi, për të shkuar në një darkë, ajo pretendon se ylli e ka detyruar të kryente akte seksuale orale.
April pretendon se pas ngjarjes së dytë filloi të mos i përfillte ftesat e Diddyt për të shkuar në ngjarje të ndryshme, gjë që sipas saj, bëri që ai të shndërrohej në një person jashtëzakonisht të keq dhe të bëhej gjithnjë e më i nevrikosur duke e thirrur pandërprerë e duke e kërcënuar se do ta fuste në listën e zezë të industrisë.
Në padi gjithashtu thuhet se në vitin 1996, Aprili u dërgua në apartamendin e Diddyt me urdhër të tij, ku e prezantoi me partneren e tij të atëhershme, të ndjerën Kim Porter. Aprilit i është dhënë drogë ndërkohë që Diddy e detyroi atë të kryente marrëdhënie seksuale me Kimin ndërkohë që ai shikonte, para se ta dhunonte përsëri.
Gruaja u dha fund kontakteve me reperin në vitin 1998 por pastaj thuhet se është fjalosur me Kimin në restorantin ku punonte. Sipas modeles Kimi i ka thënë shefit të saj ta largonte nga puna, duke pretenduar se e ka helmuar me ushqim dhe nëse nuk do ta bënte do t’i thoshte Diddyt të ia mbyllte restorantin.
Sipas padisë, dyshja u takun rastësisht me njëri-tjetrin edhe një herë gjatë vitit 2000, ndërsa Diddy ishte në lidhje me këngëtaren Jennifer Lopez.
Në padi thuhet se ai i shkoi në apartament Aprilit dhe hyri brenda me dhunë duke e kapur atë dhe kur e pa se ajo po kundërshtonte me forcë, u largua.
Në padinë e modeles gjithashtu thuhet se, reperi, pa dijeninë e saj, e ka filmuar ndërkohë që po kryente marrëdhënie seksuale me të dhe më pas videon ua ka treguar shumë njerëzve.
Ajo po e padit, P.Diddyn, për sulm seksual, dhunim, një sërë shqetësimesh emocionale. Gjithashtu ka paditur edhe kompanitë “Bad Boy Recrds”, “Arista” dhe “Sony Music Entertainment”, me pretendimin se ia mundësuan atij t’i kryente këto krime.
P.Diddy është goditur nga një valë padish që nga fundi i vitit 2023, ku përfshihen pretendimet për dhunime, trafikim me qenie njerëzore e sulme seksuale.
Çështjet vazhdojnë të jenë aktive, ndërkohë që ai i ka mohuar të gjitha akuzat.
Ndërkohë që ditë më parë u publikua një video, ku shihet ai duke ushtruar dhunë fizike ndaj ish-partneres së tij, këngëtares Cassie, të cilën e publikoi CCTV. Pas publikimit të saj, reperi kërkoi falje publike përmes një videoje që e shpërndau në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram.