Reperi Sean Combs, i njohur si P.Diddy, i cili aktualisht është i burgosur ndërkohë që pritet të dalë para gjykatës, është i bindur se është “viktimë e një persekutimi të motivuar nga raca”.
Kështu ka thënë avokati i tij, Marc Agnifillo, në dokumentarin e TMZ-së “The Downfall of Diddy: The Indictment”.
“Combs beson që ky rast kundër tij është i bazuar në persekutim të motivuar nga raca dhe se po sulmohet pasi është njeri shumë i suksesshëm e me ngjyrë”, ka thënë avokati.
Ai ka cekur se ylli nuk planifikon të marrë përsipër asnjë faj pasi e konsideron veten si të pafajshëm dhe dëshiron që në gjyq të dëshmojë rreth të vërtetës mbi videon që doli, ku shihet ai duke sulmuar fizikisht ish-të dashurën e tij për 10 vjet, këngëtaren Cassie.
“Combs e ka historinë e vet, të cilën mendoj se vetëm ai do mund të tregonte në mënyrën e tij. Është histori njerëzore, është një histori e dashurisë dhe e thyerjes së zemrës”, ka thënë avokati.
Agnifillo gjithashtu ka shtuar se Combs po planifikon të luftojë për këtë rast "jo vetëm për vete por edhe për të tjerët që janë në pozitën e tij".
Ndërkohë që Combs është nën mbikëqyrje, pasi dyshohet se mund të bëjë vetëvrasje, avokati ka cekur se ai është në gjendje shumë të mirë mendore dhe po mendon shumë pozitivisht, “është i fokusuar në mbrojtje”.
Combs akuzohet për trafikim seksual, sulm seksual, shantazh, detyrim, kidnapim e shumë akuza të tjera, ndaj të cilave është deklaruar i pafajshëm ndërkohë që gjykata ia ka mohuar dy herë lirimin me kusht, pasi ai ka ofruar 50 milionë dollarë dorëzani.