Ylli televiziv, Oprah Winfrey, ka ndarë me publikun një përvojë të re dhe një ndryshim të madh në mendimin e saj mbi njerëzit e hollë, pasi filloi t'i përdorë medikamentet e diabetit, GLP-1, për humbje peshe.
The New York Post ka raportuar se Winfrey ka treguar që për shumë vjet, kishte menduar se njerëzit e hollë kishin më shumë vullnet, se ata hanin më shumë ushqime të shëndetshme dhe se mund të qëndronin më gjatë në një dietë.
“Kam menduar se ata as nuk e preknin një patate të skuqur”, ka thënë Winfrey në podcastin e saj.
Por, pas fillimit të përdorimit të një prej medikamenteve GLP-1, ajo ka kuptuar se vullneti nuk kishte të bënte me ushqimin.
“Ata nuk po mendojnë për vullnetin për të mos ngrënë apo dëshirën për të ngrënë, ata hanë kur janë të uritur dhe ndalen kur janë të ngopur”, ka thënë Winfrey.
Ylli gjithashtu ka treguar se ajo kishte menduar për shumë vjet se problemet me peshën e saj ishin një pasojë e mungesës së vullneti, por se tani e kupton se obeziteti është sëmundje dhe nuk ka të bëjë me vullnetin, por me trurin.
Ajo ka theksuar se për njerëzit me obezitet, ky mentalitet nuk funksionon.
Duke folur për presionin që ka pasur gjatë gjithë karrierës së saj, Winfrey ka pranuar se kishte qenë shumë e shqetësuar nga komentet dhe talljet e tabloidëve për peshën e saj dhe duke u bërë objekt shakash nga komedianët për këtë arsye.
Winfrey ka cekur se kjo gjë ka pasur ndikim të madh tek ajo.
Në fund ajo ka theksuar se shoqëria ka një stigmë të fortë ndaj njerëzve që janë mbipeshë, duke shtuar se ajo është trajtuar ndryshe kur ka qenë me mbipeshë krahasuar me kohën kur ishte në peshën që është tani.
“Ka një përbuzje. Ka një stigmë”, ka përfunduar Winfrey.