Emma Heming Willis, gruaja e aktorit Bruce Willis, ka ngritur zërin për rëndësinë e kujdesit ndaj kujdestarëve, pas ndarjes nga jeta të aktorit Gene Hackman dhe gruas së tij, Betsy Arakawa.
Aktorja dhe bashkëthemeluesja e “Make Time Wellness”, ka reaguar përmes llogarisë së saj në Instagram, duke folur për humbjen tragjike dhe duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për kujdestarët, ka shkruar “USA Today”.
“Edhe kujdestarët kanë nevojë për kujdes. Pikë. Fund.”, ka shkruar Hemming Willis, 46-vjeçare.
Ajo ka vënë në dukje se ky rast e bëri të mendonte mbi një çështje më të gjerë.
“Mendoj se ekziston një keqkuptim i zakonshëm se kujdestarët kanë gjithçka nën kontroll, se janë mirë. Nuk pajtohem me këtë. Duhet të jemi pranë tyre, në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë të kujdesen për të dashurit e tyre”, ka thënë Hemming Willis.
Hackman, 95 vjeç, dhe Arakawa, 65 vjeç, u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në Santa Fe, New Mexico, muajin e kaluar. Hetuesit njoftuan të premten se Hackman kishte mbetur gjallë për rreth një javë pas vdekjes së gruas së tij.
Sipas raportit zyrtar, Arakawa vdiq nga sindroma pulmonare e hantavirusit, një sëmundje e rrallë që përhapet përmes kontaktit me jashtëqitjet e minjve. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) sqarojnë se hantaviruset nuk përhapen nga njeriu te njeriu, por kryesisht nga brejtësit.
Ndërkohë, Hackman vuante nga sëmundja e zemrës dhe ndërlikime të shkaktuara nga Alzheimeri, duke vdekur nga shkaqe natyrore. Ai ishte vazhdimisht nën kujdes të Arakawas.
Që nga diagnostikimi i aktorit Bruce Willis me demencë në vitin 2023, Heming Willis është bërë zë i fuqishëm për mbështetjen e kujdestarëve, pavarësisht natyrës së saj të rezervuar.
Në gusht të atij viti, ajo pati ndarë një video në Instagram, përmes së cilës i pati ftuar kujdestarët të ndajnë fotografi nga jeta e tyre, si një lloj mesazhi mbështetës për të gjithë ata që përballen me sfida të ngjashme.
“E di që duket sikur po jetoj jetën më së miri, por në të vërtetë është një përpjekje e përditshme për ta bërë këtë. Nuk dua të keqkuptohet se unë jam mirë, sepse nuk jam. Nuk jam mirë. Por duhet të bëj më të mirën për veten dhe familjen time. Sepse kur nuk kujdesemi për veten, nuk mund të kujdesemi as për ata që duam”, pati thënë Heming Willis.
Heming dhe Bruce Willis kanë dy vajza, Mabel Ray dhe Evelyn Penn, ndërsa Willis ka edhe tre vajza të tjera nga martesa me ish-gruan, aktoren Demi Moore - Rumer, Scout dhe Tallulah.