Yjet e Hollywoodit, Paris Hilton dhe Nicole Richie, po planifikojnë një projekt “ribashkimi”, për nder të 20-vjetorit të projektit të tyre filmik “The Simple Life”. Këtë herë ato po duan të bëjnë diçka shumë speciale duke i përfshirë edhe adhuruesit në të.
“Sapo erdha në shtëpi nga xhirimet ku isha me Nicolën. Siç e dini disa nga ju, po e bëjmë një ‘ribashkim’ special për të festuar 20-vjetorin e emisionit tonë, ‘The Simple Life’. Ishte shumë qejf dhe po planifikojmë diçka shumë, shumë speciale dhe mendova se vendi më i mirë për të gjetur njerëzit që do të doja të jenë pjesë e këtij projekti do ishte këtu. Do të jetë epike dhe dua t’i ftoj adhuruesit më të mëdhenj”, ka thënë Paris në një video që e ka postuar në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram.
Ajo ka treguar se ka biseduar me Nicolën rreth temës se sa shumë i duan adhuruesit e tyre dhe sa shumë u pëlqen t’i shikojnë videot e tyre në rrjetin social TikTok, prandaj edhe u erdhi ideja që t’i ftojnë të bëjnë disa video.
Ani pse Paris më parë pati thënë se po luante njëfarë roli në “The Simple Life”, duke pranuar se ishte tejet e befasuar kur njerëzit mendonin se ajo sillet ashtu edhe në jetën e përditshme.
“Unë e dija se çfarë po bëja, por bota nuk e dinte. Ishte e çuditshme për mua që njerëzit më perceptonin në atë mënyrë sepse ajo nuk është personi që jam unë në të vërtetë. Ishte një emision shumë argëtues, të cilin do ta kuptoja si të tillë. Normalisht unë jam ‘rritur’ si person, jam e moshës madhore tash, por të jesh e gjykuar dhe të kesh aq perceptime të gabuara për personalitetin tënd bazuar në një karakter të cilin e shpika vet, ishte tmerruese”, pati thënë Paris për revistën People.
Ajo pati shtuar se nuk i bie pishman pasi ka krijuar diçka të madhe nga ai emision.
Paris dhe Nicole kanë marrë pjesë në emisionin e tyre “The Simple Life” të konceptit “reality show”, që nga viti 2003 deri në vitin 2005.