Showbiz

Pamela Anderson: Nuk shqetësohem që nuk u nominova për “Oscar”

Pamela Anderson

Pamela Anderson

Foto: Associated Press

Aktorja Pamela Anderson ka theksuar se nuk ndihet e zhgënjyer për faktin se nuk është nominuar për çmim “Oscar” për rolin në filmin “The Last Showgirl”.

Ajo ka thënë se për të “puna është fitore”.

Anderson, e cila kishte qenë një prej emrave që pritej të nominoheshin, nuk është përfshirë në listë e të nominuarave për aktoren më të mirë.

Megjithatë, ajo në një intervistë për revistën ELLE ka thënë se nuk është e trishtuar për këtë.

“Oh, o Zot, nuk ishte diçka që e prisja. Vet puna është fitore. Kjo është ajo që më pëlqen të bëj, dhe mendoj se ndonjëherë mund të humbasim këtë perspektivë kur bëhet fjalë për spektaklet e ndarjes së çmimeve, por është e bukur të vlerësohet puna jonë dhe gjithçka është një bonus. Nuk mund ta imagjinoja ndonjëherë”, ka thënë ajo.

Pavarësisht se nuk mori një nominim për “Oscar”, Anderson është nominuar për çmimin  “performanca më të mirë nga një aktore grua në rol kryesor” në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “SAG” (Screen Actors Guild Awards). 

Ajo ka shprehur gëzimin e saj për këtë nominim, duke thënë se është shumë e kënaqur që e ka marrë këtë vlerësim nga kolegët e saj.

“Jam e lumtur për nominimin në SAG, që është votuar nga kolegët e mi. Kjo është shumë e bukur. Ka qenë një rrugë e gjatë për të promovuar këtë film”, ka shtuar ajo.

Në ceremoninë e “SAG”, që do të mbahet më 23 shkurt, Anderson është në konkurrencë me aktoret Cynthia Erivo (Wicked), Karla Sofia Gascon (Emilia Perez), Mikey Madison (Anora), dhe Demi Moore (The Substance).

Anderson gjithashtu ka folur për mënyrën se si suksesi i “The Last Showgirl” është “hakmarrja më e mirë” pasi karriera, sipas saj nuk i ishte pasqyryar mirë në serinë e produksionit “Hulu”,  Pam & Tommy”, e cila tregon marrëdhënien e turbullt me ish-bashkëshortin e saj, Tommy Lee. 

Ajo ka shprehur dhimbjen e saj për mënyrën si u paraqit jeta e saj në atë seri, duke thënë se nuk u konsultua për prodhimin.

“Ishte një nga ato gjëra. Ndodhi dhe tani jam këtu dhe kjo është hakmarrja më e mirë… Po vlerësohem për punën time dhe jo për këto momente të turpshme”, pati thënë Anderson në emisionin e komedianit Andy Cohen.

Duke folur për serinë “Pam & Tommy”, që e portretizoi atë dhe Tommy Lee, ajo tha se nuk ishte konsultuar për asgjë.

“Nuk kisha asnjë përfshirje. Askush nuk më ka thirrur, gjë që ishte e çuditshme dhe e dhimbshme për mua. Mendoj se është e paligjshme. Por, do të thosha, se me duket sikur po më konsideronin thuajse jam një pronë publike që nuk kam të drejtë për privatësi”, ka thënë ajo.

Pavarësisht vështirësive, Anderson ka thënë se ka mbetur e fokusuar në karrierën e saj dhe është duke shijuar vlerësimin që ka marrë për “The Last Showgirl”, duke theksuar se vlerësimi për talentin dhe punën e saj është ajo që ka më shumë rëndësi për të.