Showbiz

Pajtohen Kanye West dhe Adidas

Kanye West dhe Adidas

Kanye West dhe Adidas

Kompania e famshme e veshjeve sportive, Adidas, ka arritur marrëveshje me reperin, Kanye West, që t’u jepet fund të gjitha procedurave ligjore kundër tij, pa dëmshpërblime.

Gjiganti gjerman i veshjeve sportive, ishte i bllokuar në disa mosmarrëveshje me artistin, nofka e të cilit është Ye, pasi kishin ndërprerë bashkëpunimin në vitin 2022 me pretendimin se ai ishte antisemitist, shkruan The Guardian.

“Nuk ka më probleme të pazgjidhura dhe nuk ka para që shkëmbehen në mes nesh”, ka thënë shefi ekzekutiv i Adidasit, Bjorn Gulden, në një konferencë për shtyp të martën.

Ai ka shpjeguar se kishte tension në disa çështje, por të dyja palët janë dakorduar të mos “përleshen më”.

“Drama me Westin i përket të kaluarës. Askush nuk i detyrohet asgjë askujt tashmë. Çfarëdo që ka ndodhur në të kaluarën i përket historisë”, ka thënë shefi i Adidasit.

Adidas dhe West patën filluar bashkëpunimin në vitin 2014 pasi reperi kishte përfunduar bashkëpunimin me brendin tjetër të veshjeve sportive, Nike.

Partneriteti në mes West dhe Adidas ishte një nga më të suksesshmit në historinë e veshjeve sportive si rezultat i të cilit, brendi “Yeeze” që e kishte themeluar West, fitoi milionat.

Por kur West bëri disa komente antisemitiste nëpër rrjete sociale në muajin tetor të vitit 2022, Adidas bëri të ditur se po i jepte fund bashkëpunimit me reperin duke i quajtur komentet e tij “ të papranueshme, nxitëse të urrejtjes dhe të rrezikshme”, duke shtuar se nuk do të toleronte deklarata të tilla antisemitiste e kurrfarë gjuhe që nxit urrejtje.

West vazhdoi t’i përsëriste pretendimet e tij në shumë intervista dhe më vonë ka thënë se pasuria e tij ra për 2 miliardë dollar brenda një dite, për shkak se kompanitë me të cilat bashkëpunonte ndërprenë kontratat me të.

Një vit më vonë, Gulden pati mbrojtur Westin, duke thënë se komentet e reperit ishin “shumë të papërshtatshme, por nuk mendoj se ai e ka pasur me gjithë mend atë që kishte thënë dhe nuk mendoj se është njeri i keq”.

“Ajo gjë ndodhi dhe i dha fund bashkëpunimit tonë, bashkëpunimit më të suksesshëm në histori – shumë e dhimbshme. Por përsëri, kur punon me palë të treta, kjo mund të ndodhë. Është pjesë e lojës. Kjo mund të ndodhë me ndonjë atlet, mund të ndodhë më një pjesëtar të showbizit. Është pjesë e biznesit”, pati thënë Gulden në pocastin The Good Company.

Pasi kishte përfunduar partneritetin në Westin, Adidas mbeti me stok të padëshirueshëm që kapte shumën prej 1.2 miliardë dollarësh përfshirë këpucë e produkte të tjerë. Kompania po i shiste produktet e mbetura nga bashkëpunimi me “Yeeze” me shumicë dhe po ia dhuronte organizatave jo fitimprurëse, përfshirë një fondacion që kishte lansuar vetë kompania, i cili kishte për qëllim të mbështeste iniciativa anti-diskriminuese. Adidas ka deklaruar se gjësendet e mbetura nga bashkëpunimi me Westin do të përmbyllin shitjen në fund të vitit 2024.

Gulden, në muajin tetor, incidentin me Westin e pati adresuar si dramë e cila rrjedhin si rezultat i përfshirjes së palëve të treta. 

Në mes të muajve korrik e shtator, shitjet e Adidasit grumbulluan 6.4 miliardë euro, shtatë për qind më shumë se periudha e njëjtë vitin e kaluar. Përfaqësuesit e kompanisë patën deklaruar se kjo rritje ishte e papritshme.

Gulden pati thënë se brendi ia kishte dalë të rrisë shitjen përmes koleksioneve të tjera të mbathjeve që patën bërë më parë, si koleksionet e atleteve Samba, Gazelle dhe Campus.