Thalia Graves e ka paditur reperin, Sean Diddy Combs, i cili javën e kaluar është arrestuar për trafikim seksual, mashtrim e shantazh dhe për dhunim.
Dhunimi brutal i Gravesit pretendohet të ketë ndodhur më shumë se 20 vjet më parë në një tavolinë të bilardos që ndodhej në studiot e kompanisë “Bad Boy Records” në New York, të cilën e ka themeluar reperi.
Thalia Graves ka treguar për sulmin që ia ka bërë Combs bashkë me truprojën e tij të atëhershme, për të cilin pretendon se e ka droguar. Graves thotë se atë tmerr e ka ende në kujtime, ndërsa pretendon se iu lidhën duart dhe u incizua përdhunimi i saj. Ajo thotë se Combs më pas ia ka treguar incizimin shumë personave tjerë.
“Dhimbja e brendshme pas një sulmi seksual të tillë ka qenë shumë e thellë dhe shumë e vështirë për tu përshkruar me fjalë. Është dhimbje që arrin në çdo rrënjë të asaj që je dhe lë plagë emocionale, të cilat ndoshta nuk do të shërohen plotësisht asnjëherë”, ka thënë Thalia publikisht në një konferencë për shtyp ku ishte e shoqëruar nga avokatja e saj, Gloria Allred.
Konferenca për shtyp, e cila është transmetuar drejtpërdrejt, është mbajtur në zyrën e Allredit në Los Angeles, pasi që Graves dorëzoi padinë 26-faqëshe në gjykatën e New Yorkut kundër Combsit, truprojës së tij të atëhershme, kompanisë “Bad Boy Entertainment” dhe të tjerëve.

Padija vjen një javë pas arrestimit të Combsit, më 16 shtator. Ai është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave ndërkohë që gjykata ia ka mohuar dy herë lirimin me kusht.

Në padi përfshihen detaje se si Combsi kishte incizuar ndejat “e çmendura”, duke i përshkruar incizimet si punë për prodhimin e performancave seksuale që aranzhoheshin dhe drejtoheshin nga Combs.
Graves është viktima e parë që del publikisht për të dhënë detaje se si Combs dhe truproja Joseph Sherman e kanë incizuar dhunimin që ndodhi në vitin 2001, kur ajo ishte 25 vjeçe dhe ishte në lidhje me drejtorin e “Bad Boy Records”.
Graves e cila shpesh ndalej për shkak se qante ndërkohë që fliste në konference për shtyp, ka thënë se Combs e ka dërguar në studio pasi ia ka dhënë një gotë verë, në të cilën pati drogë që e bëri atë të humbte vetëdijen.
Kur u zgjua, Graves thotë se ishte e zhveshur me duar të lidhura pas, ndërkohë që kur bërtiti, Sherman ia përplasi kokën mbi tavolinë.
“Një nga pjesët më të vështira të dhimbjen janë turpi dhe faji që kam ndier që luajnë rol negativ në aftësinë time për të funksionuar si duhet në jetën e përditshme”, ka thënë tutje Graves.
Ajo ndër të tjera ka thënë se gëzohet që është burgosur “por kjo gjë është vetëm lehtësim i përkohshëm i ndjenjave”.