Reperi Sean “Diddy” Combs ka ngritur padi, me të cilën kërkon 100 milionë dollarë dëmshpërblim, kundër NBC-së, krijuesit të dokumentarit për tij, deri sa ai vazhdon të përballet me akuza për sulme seksuale.
Reperi po mbahet në burgun e New Yorkut duke pritur për gjyqin federal për rastin ku ai akuzohet për trafikim seksual dhe krim të organizuar, akuza të cilat ai i mohon, raporton “BBC”.
Avokati i Diddyt të mërkurën ka deklaruar se ai e ka paditur rrjetin televiziv NBC, shërbimin e tij të transmetimit “Peacock” dhe kompaninë e produksionit “Ample” për dokumentarin e tyre me titull “Diddy: The Making of a Bad Boy”.
Në padi pretendohet se dokumentari është i pavërtetë dhe përmban deklarata shpifëse rreth reperit. Kompanitë akoma nuk kanë komentuar rreth padisë.
Padia thotë se “e gjithë premisa e dokumentarit supozon se Combs ka kryer krime makabre, që përfshinë vrasës serikë, përdhunim dhe trafikim seksual të të miturve”.
Në padi thuhet se në dokumentar “me qëllim të keq dhe pa asnjë bazë arrin në përfundimin se Combs është një 'përbindësh'". Gjithashtu në padi pretendohet se krijuesit “dinin që akuzat ishin të pavërteta ose i publikuan me pakujdesi”.
Diddy ka kërkuar 100 milionë dëmshpërblim për “dëmtim ekonomik dhe të reputacionit” të shkaktuara nga dokumentari.
Padia thotë se programi “në mënyrë të rreme, të papërgjegjshme dhe të ligë akuzon Combsin për vrasjen e figurave rreth tij që përfshinë ish-partnerin Kim Porter dhe reperin Christopher Wallace, i njohur si Biggie Smalls dhe The Notorious BIG.
Avokatja e Combsit, Erica Wolff, ka deklaruar se NBC, “Peacock” dhe “Ample”, “kanë marrë vendim të vetëdijshëm për të vendosur përpara fitimet e tyre, në këmbim të së vërtetës, korrektësisë dhe standardeve bazike të gazetarisë profesionale”.
“Ata në mënyrë të ligë dhe të papërgjegjshme shpërndanë gënjeshtra të më mëdha”, ka deklaruar ajo.
Padia u ngrit pasi një numër i madh akuzash janë bërë ndaj yllit të repit nga burra dhe gra në 16 muajt e fundit. Mendohet se tani janë më shumë se 30 padi civile kundër tij.
Combs është akuzuar për kidnapim, drogim dhe shtyrjen e grave në aktivitetet seksuale, ndonjëherë duke përdorur armë dhe kërcënime me dhunë. Ai po ashtu është akuzuar për sulm dhe përdhunime.