Duke filluar nga fustani i kuq i brendit “Dior”, që veshi aktorja Jenna Ortega, e ai i zi nga brendi “Chanel” që veshi kolegia e saj Winona Ryder, yjet e regjisorit Tim Burton u shfaqën në natën e parë të Festivalit të filmit në Venecia, me veshje që karakteret që ato luajnë do t’i vishnin po ashtu.
Filmi “Beetljuice” i Burtonit u shfaq si premierë botërore në Festivalin e Filmit në Venecia të mërkurën mbrëma, shkruan “Hollywood Reporter”.
Yjet e filmit në fjalë, prezantuan veshjet e tyre në tepihun e kuq, në natën e hapjes së Festivalit të ndihmuar nga stilistët.

Ortega, ambasadorja e “Diorit”, bashkë me stilistin e saj Enrique Melendez, ka rikrijuar dukjet e karakterit që luan në filmin “Beetlejuice”, që nga fillimi i konferencave për shtyp dhe po vazhdon trendin me fustanin nga tyli i kuq i krijuar nga marka “Dior”. Kjo dukje është e inspiruar nga skena e dasmës në versionin e vitit 1988 të këtij filmi, ku protagoniste është aktorja Winona Ryder, me rolin e Lydia Deetz, e cila martohet me karakterin që luan aktori Michael Keaton.
Ortega, e cila luan rolin e të bijës së Lydias, Astrid Deetz, e kombinoi fustanin me stoli po ashtu të krijuara nga brendi “Dior”, përfshirë qaforen, byzylykun dhe unazat me diamante me ngjyra rozë e të bardhë.

Winona, e cila kishte veshur këmishë të bardhë të kombinuar me sako dhe fund me tyl me ngjyrë të zezë nga brendi “Chanel”, ishte stiluar nga stilistja Erica Could.
Veshja e aktores veterane, ishte e inspiruar nga një veshje që shtëpia e modës në fjalë e kishte prezantuar në vitin 2007 si pjesë e koleksionit “Houte Couture”.

Një tjetër aktore që mori vëmendje, pasi u shfaq në tepihun e kuq të kësaj ngjarje, ishte italiania Monica Belluci. Ajo kishte veshur një fusta të zi të bërë vetëm për të nga brendi “Vivienne Westwood”.
Belluci e cila në “Beetlejuice” luan rolin e Doloresit, në tepih të kuq erdhi e shoqëruar nga vet Burton, i cili kishte veshur kostum të zi nga brendi “Dior”.

“A e patë fustanin e Catherines?”, kishte komentuar dikush që ishte pranë gazetarit të Holywood Reporter.
Veterania e komedisë, Catherine O’Hara, e cila luan rolin e Delia Deetz, kishte veshur një fustan mjaft të veçantë avangardë të krijuar nga brendi “Oscar de la Renta” dhe e kishte shoqëruar me stoli nga brendi “Cartier”.