Tema e radhës për ngjarjen më të madhe të modës në botë është caktuar e po ashtu edhe nikoqirët.
Ngjarja “MET Gala”, si çdo të hënë të parë të muajit maj, do të mbahet në New York në Muzeun Metropolitan të Artit vitin e ardhshëm me nikoqirë si Pharell Williams, Lewis Hamilton, Colman Domingo, A$AP Rocky dhe LeBron James, të cilët do ta ndihmojnë muzeun ta lansojë ekspozitën që vë në pah stilin e veshjeve të burrave me ngjyrë gjatë shekujve, shkruan AP.

Williams dhe Hamilton ishin në detyrë të mërkurën për t’iu ndihmuar zyrtarëve të Muzeut Metropolitan të Artit në New York për ta publikuar temën “Superfine: Tailoring Black Style” të ekspozitës së veshjeve që do të mbahet në pranverën e ardhshme.
Kodi i veshjes do të bëhet i ditur në fillim të vitit të ardhshëm.

Ekspozita këtë vit ka të bëjë ekskluzivisht me veshjet e burrave.

Kjo është ekspozita e parë e veshjeve që MET bën për gati 20 vjet, e cila ekskluzivisht do të fokusohet te veshjet e burrave, gjë që shpjegon përzgjedhjen e nikoqirëve që ka bërë kryeredaktorja e prestigjiozes “Vogue”, Anna Wintour, organizatore e ngjarjes çdo vit.

Hamilton, ylli i Formula1, ka treguar se si moda u bë një mënyrë për ta shprehur identitetin që ka.
Ai ka thënë se kur ishte i ri u detyrua të përshtatej që nga rutina e përditshme e deri te rrobat.
“Rutina ime ishte e ngurtë. Dhe si i vetmi njeri me ngjyrë në pistën e garave nuk kishte asnjë si unë. Më vonë gjatë jetës fillova ta shpreh vetveten në mënyrë më kreative dhe me specifike, përmes modës. Gjeta identitetin në mënyrën se si vishem. Ishte një ndryshim pozitiv tepër i madh”, ka shpjeguar Hamilton.
Ai gjithashtu ka treguar se e di fuqinë që ka paraqitja dhe se si moda mund të jetë një mjet që ndihmon ta çojë përpara divesitetin dhe ta mirëpresë atë.
“Jam i entuziazmuar të festoj në këtë mënyrë historinë e personave me ngjyrë dhe të tregoj se gjithëpërfshirja dhe kreativiteti shkojnë dorë për dore”, ka thënë ai.

Drejtori i muzeut dhe shef ekzekutiv, Max Hollein, ka thënë se ekspozita këtë herë do të mbahet për gjashtë muaj, gjë që do të thotë se do të mbahet më gjatë sesa çdo ekspozitë tjetër e modës që është bërë në muze.

“Kjo ekspozitë do të eksplorojë stilin e formimit të identitetit të njerëzve me ngjyrë në diasporën atlantike, dhe do të dëshmojë fuqinë që ka stili si një mjet demokratik për t’i refuzuar stereotipat dhe qasjen në mundësi të reja”.
Drejtori, ndër të tjera, ka thënë se tema e ekspozitës së ardhshme vjen si inspirim nga libri “Slaves to Fashion: Black Dandyism and the Styling of Black Diasporic Identity”, i shkruar nga Monica L. Miller.

Williams, i cili ndër profesione të tjera është drejtor kreativ i linjës së burrave në brendin e njohur “Louis Vuitton”, filloi fjalimin duke iu bërë homazh artistëve që janë përgjegjës për krijimin e piramidave të Egjiptit dhe ka folur gjerësisht për fuqinë që ka arti.

“Për mua arti është një mënyrë për ta shprehur humanitetin që kemi. Është vendi ku e ruajmë historinë, është mënyra se si i tregojmë historitë tona dhe manifestimi fjalë për fjalë i ëndrrave tona”, ka thënë Williams gjatë ngjarjes së shpalljes së temës se ekspozitës.
Ai ka thënë se njerëzit me ngjyrë janë të mbijetuarit e një epoke tepër të vështirë dhe jo vetëm që kanë mbijetuar, por “jemi ata që gjithnjë kemi mbajtur me vete muzikën, kulturën, bukurinë dhe gjuhën universale mbi një oqean”.
“Ne ia kthyem të gjitha botës dhe vazhdojmë ta bëjmë, dhe kjo është ajo që do të festohet në ‘MET Gala’, ne, dhurata jonë, historia jonë, ushqimi ynë, qëndrueshmëria jonë, bukuria jonë, stili dhe fuqia jonë, autoriteti ynë”, ka thënë Williams.
Kryekuratori i Institutit të Kostumeve në MET, Andrew Bolton, ka cekur se vitet e fundit veshjeve të burrave po iu ndodh një lloj rilindjeje.

“Kjo po ndodh duke ju falënderuar një pjese jo të vogël të burrave me stil siç janë Hamilton dhe shokët e tij nikoqirë, burra që nuk ju frikësohen rreziqeve kur bëhet fjalë për prezantimin e vetvetes”, ka thënë Bolton duke shtuar se Williams është një ndër disenjatorët me ngjyrë i cili ka ndihmuar lulëzimin e kreativitetit në modë e për të cilin u ndie shumë krenar që është nikoqir.
Miller, autore dhe kuratore, ka cekur se në vitin 1780, me fjalën “Dandies” ju referoheshin personave që definoheshin si burra që ju kushtonin rëndësi të madhe veshjeve.

“Definicioni historik i ‘dandive’ është preciziteti absolut në veshje dhe në qepjen e tyre deri në madhështi”, ka thënë Miller, duke cekur se ngjarja do të fokusohet pikërisht te stili i këtyre individëve dhe atyre me ngjyrë, si dhe manifestimeve të shumta që kanë bërë ata.

Tepihu i kuq i ngjarjes “MET Gala” është gjithmonë një nga spektaklet më të mëdha të kulturës çdo vit, ku parakalojnë yje si, Lady Gaga, Rihanna e Billy Porter, me veshje që janë qepur ekskluzivisht për kodin e veshjes, që i përshtatet temës së ekspozitës.

Në këtë ngjarje grumbullohen edhe fonde. Mbrëmja e vitit të kaluar ka grumbulluar 26 milionë dollarë, shumë kjo rekorde për një ngjarje të tillë.
Ekspozita “Superfine: Tailoring Black Style” do të hapet për publikun nga 10 maji deri më 26 tetor të vitit të ardhshëm.