Showbiz

Nikki Glaser sërish prezantuese e “Golden Globes”

Nikki Glaser

Nikki Glaser

Foto: Associated Press

Komediania Nikki Glaser do të jetë prezantuese edhe e edicionit të 83-të të ceremnisë së ndarjes së çmimeve “Golden Globes”, e cila do të mbahet në muajin janar të vitit 2026 dhe do të transmetohet në CBS dhe Paramount+. Kjo do të jetë hera e saj e dytë si prezantuese, pas debutimit që u cilësua i suksesshëm në edicionin e vitit 2025.

“Të prezantoja ‘Golden Globes’ këtë vit ishte pa dyshim eksperienca më argëtuese që kam pasur ndonjëherë në karrierën time. Mezi po pres ta bëj përsëri, dhe këtë herë para ekipit të serialit ‘The White Lotus’, të cilët më në fund do ta kuptojnë talentin tim dhe do të më fusin në sezonin e katërt si një instruktore skandinave e ushtrimeve pilates me një të kaluar të errët”, ka thënë Glaser në një deklaratë, ka raportuar Variety.

Helen Hoehne, presidente e “Golden Globes”, e ka vlerësuar kthimin e Glaserit në skenë.

“Nikki Glaser solli një energji të freskët dhe një humor të patrembur në skenën e ‘Golden Globes’. Prezenca e saj e guximshme dhe shakatë e mprehta krijuan një natë të paharrueshme, duke i kthyer ceremonisë atmosferën vibrante dhe, mbi të gjitha, argëtuese”, ka thënë Hoehne.

Në edicionin e vitit 2025, Nikki Glaser u bë gruaja e parë që ka prezantuar e vetme spektaklin ”Golden Globes”. 
Kritiku televiziv i Variety, Aramide Tinubu, e vlerësoi debutimin e saj.

“Ish-prezantuesja e projektit televiziv ‘FBoy Island’ preku një sërë temash, duke përfshirë zgjedhjet presidenciale të 2024-s dhe lëvizjen #MeToo, dhe ishte plot energji që në fjalën e parë. Glaser bëri humor, duke u nisur nga mustaqet e holla të aktorit Timothée Chalamet deri te intervista virale e yjeve të filmit ‘Wicked’, aktoreve Ariana Grande dhe Cynthia Erivo. Batutat e saj inteligjente dhe momentet e shumta për të qeshur i rikthyen ‘Golden Globesit’ lavdinë e dikurshme”, ka thënë Tinubu.

Edicionin e 83-të i Golden Globes do ta organizojë dhe prodhojë kompania “Dick Clark Productions”.