Showbiz

Nikki Glaser nuk është e sigurt nëse do ta udhëheqë përsëri “Golden Globes”

Nikki Glaser

Nikki Glaser

Foto: Associated Press

Komediania Nikki Glaser ka pranuar se ende nuk di asgjë për të ardhmen e saj si prezantuese e ceremonisë  së ndarjes së çmimeve “Golden Globes”.

40-vjeçarja mori vlerësime të gjera për performancën e saj si prezantuese e ceremonisë në muajin janar, por ende nuk është e sigurt nëse do të rikthehet për ta drejtuar sërish.

“Vazhdoj të shoh tituj që thonë: ‘Ajo ka një marrëveshje për të bërë tri ceremoni të tjera ‘Golden Globes’. Nuk kam dëgjuar ende për këtë ofertë”, ka thënë për Entertainment Tonight, Glaser, e cila u bë prezantuesja e par që udhëhoqi e vetme ceremoninë “Golden Globes”.

Paraqitja e komedianes u prit mirë dhe ajo bëri shaka për figura të famshme si Glen Powell dhe Zendaya gjatë monologut të saj të hapjes.

Glenn Weiss, producenti ekzekutiv i shfaqjes, ka pranuar kohët e fundit se Glaser do të ishte “prezantuese shumë e mirë afatgjate për ‘Golden Globes’”.

“Patëm një përvojë të shkëlqyer me të dhe mendojmë që ajo do të ishte shumë e mirë për këtë në afat të gjatë”, ka thënë ai për Variety.

Weiss ka pranuar se do të dëshironte të vazhdonte të punonte me Nikkin.

Kur u pyet nëse komediania është ftuar edhe për vitin 2026, Weiss u përgjigj duke thënë se “nuk mund të flasë zyrtarisht për këtë”.

“Do të them se, si dikush që prodhon dhe drejton shfaqje të ndarjes së çmimeve, ajo e gjeti vërtet vendin e saj këtu dhe mendoj që ka funksionuar shumë bukur në këtë shfaqje. Dhe do të doja që ta shihja atë të vazhdonte”, ka thënë ai.