Komediania, Nikki Glaser, e njohur për humorin e saj të mprehtë në skenat e emisionit televiziv Celebrity Roast, ka pranuar publikisht se shakaja që bëri për producentin, Benny Blanco, gjatë prezantimit të spektaklit “Golden Globes” ishte “e keqe”, por edhe që nuk ishte pa leje.
“Selena Gomez është këtu me të fejuarin e saj të ri, Benny Blanco, dhe Benny është këtu falë xhindit që ia plotësoi atë dëshirë”, pati thënë ajo përgjatë fjalimit të hapjes së ceremonisë në muajin janar të këtij viti.
Në pamje të parë, publiku qeshi. Por më pas, gjatë TIME100 Summit këtë javë, Glaser ka pranuar se shakaja ishte pak e ashpër.
“Po, ishte pak e ashpër. Sepse shumë njerëz thonë që ai nuk është ‘mjaftueshëm i pashëm’ për të. Dhe sinqerisht, unë nuk e kam menduar asnjëherë ashtu. Mendoj se ai është shumë ‘cool’, dhe ajo gjithashtu fitoi”, ka thënë Glaser, ka raportuar FemaleFirst.
Por ajo që ndryshon gjithë dinamikën e kësaj shakaje është miratimi paraprak i çiftit.
Glaser ka treguar se i shkroi vetë Blancos për t’i marrë leje.
“I thashë: ‘Nuk më njeh, por jam prezantuesja. Mund ta them këtë shaka për ty dhe një xhind?’ Ai u përgjigj, ‘Është qesharake, po e diskutoj me Selenën.’ Dhe pak më vonë më shkroi: ‘Selena mendon se është fantastike’”, ka treguar Glaser.
Në fakt, ajo ka zbuluar se ishte Jimmy Kimmel i dha këtë këshillë se “nëse ndihesh në dyshim për një shaka, pyeti ata”.
Dhe për ata që mendojnë se Glassier është “e keqe” nga natyra, ajo ka një përgjigje të thjeshtë.
“Në ‘roast’ më marrin për të qenë e keqe, por në Golden Globes nuk është puna ime t’ua shkatërroj mbrëmjen”, ka thënë tutje ylli.