Showbiz

Nëna e Beyonces e shqetësuar për fëmijët e këngëtares

Beyonce

Foto: Associated Press

Beyonce dhe Jay-Z janë një prej çifteve të famshëm më të fuqishëm në botë.

Dhe tani ata kanë një familje po aq të famshme, me vajzën Blue Ivy, 13 vjeç dhe binjakët shtatëvjeçarë, Rumi dhe Sir.

Por nëna e Beyonce-s, biznesmenja dhe stilistja Tina Knowles, thotë për BBC-në se ajo "shqetësohet për famën" që ndikon tek nipërit e saj.

“Nëse do të zgjidhja unë, ata nuk do të duhej të merreshin me gjërat me të cilat duhet të merren edhe si fëmijë”, thotë ajo.

Knowles, 71 vjeç, thotë se për momentin, fëmijët nuk janë shumë të ekspozuar ndaj kësaj.

"Por një ditë ata do të lexojnë injorancën që njerëzit tregojnë për ta, gënjeshtrat dhe të gjitha këto. Dhe unë shqetësohem për këtë”, ka thënë ajo.

Pavarësisht këtyre presioneve, ajo thotë se Beyonce dhe Jay-Z, të cilët janë shumë privatë në jetën e tyre në shtëpi, po bëjnë një punë "të mahnitshme" si prindër.

“E vërteta është se ata kalojnë kohë të madhe dhe kanë marrëdhënie të shkëlqyera me fëmijët e tyre”, ka shtuar ajo.

"Ata janë thjesht prindër të shkëlqyer. Unë nuk mendoj se mund të kërkosh prindër më të mirë”.

Knowles ka folur pak përpara publikimit të kujtimeve të saj të reja, "Matriarch".

Libri mbulon fëmijërinë e saj në Teksas, rritjen e famës së vajzave të saj dhe vitet e saj të mëvonshme, si gjyshe.

Knowles tani ka katër nipër e mbesa, duke përfshirë Julez Smith, djalin e vajzës së saj më të vogël, kantautores Solange. Ajo gjithashtu e konsideron veten gjyshe të fëmijëve të ish këngëtares së Destiny's Child, Kelly Rowland.

Ajo thotë se i sheh rregullisht të gjithë nipërit e saj, duke i cilësuar si “një nga gëzimet më të mëdha në jetën time”.

"Blu Ivy dhe unë kemi një lidhje shumë të ngushtë”, ka thënë ajo për mbesën e saj më të madhe.

“Jam shumë e lumtur që ajo ndjen se mund të flasë me mua”, është shprehur ajo duke shtuar se Blue Ivy gjithmonë i jep këshilla për t'u kujdesur për veten.