Showbiz

Në botën e fustaneve transparente, a e teproi Bianca Censori?

Kanye West dhe Bianca Censori

Kanye West dhe Bianca Censori

Foto: Associated Press

Koncepte të tilla si lakuriqësia në modë shpesh janë të lidhura me kreativitetin, por zgjedhja e gruas së reperit Kanye West, Bianca Censori, në tepihun e kuq të ceremonisë së ndarjes se çmimeve “Grammy” ka shtyrë kritikët e modës të pyesin se a bëhet kufiri midis modës dhe zhveshjes shumë i paqartë kur veshja nuk sugjeron asgjë, por thjesht shfaq gjithçka?

Ky moment u bë një nga më të komentuarit në historinë e fustaneve transparente me Censorin, e cila ktheu një tendencë që dikur mbështetej në insinuatën, në një shfaqje të drejtpërdrejtë të trupit. 

Ky akt sipas gazetarëve të CNN-it, Leah Dolan dhe Oscar Holland, gjithashtu ngre pyetje për modestinë, rolin e modës në shtyrjen e kufijve dhe kufirin mes shfaqjes artistike dhe turpërisë.

Në vitin 2024, tendenca e fustanit të “zhveshur” dominuoi tapetin e kuq në ceremoni të njohura si çmimet “Oscar”, MET Gala dhe shumë të tjera. Ky stil veshjeje, që përdor materiale transparente për të krijuar iluzionin e “nudo”, është bërë një pjesë e paharrueshme e tapetit të kuq, i veshur nga personazhe të njohura si aktorja Elle Fanning, ylli televiziv Kim Kardashian, këngëtarja Doja Cat dhe aktorja Charlize Theron.

Një shembull i tillë ishte në after-partyn e organizuar  nga prestigjiozja “Vanity Fair” pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Oscar” të vitit të kaluar, ku “nudo” u shfaq si diçka “engjëllore” (për shembull, Jennifer Lawrence me një fustan të tejdukshëm nga brendi “Givenchy”) dhe po ashtu si një zgjedhje më “provokative” (si në rastin e yllit Charli XCX me një fustan të tejdukshëm me ngjyrë të verdhë).

Por, në ceremoninë “Grammy” të vitit 2025, vetëm një nga fustanet e tejdukshme tërhoqi vëmendjen.

Bianca Censori, bashkëshortja e Kanye West, bëri një paraqitje të guximshme, duke mbajtur një pallto të gjatë me gëzof me ngjyrë të zezë që fshehu një mini-fustan të tejdukshëm.

Ajo e hoqi pallton para kamerave për të zbuluar një fustan që nuk mbulonte asgjë.

“Fustanet transparene”, apo të tejdukshme, mund të jenë në forma të ndryshme dhe me nivele të ndryshme ekspozimi. 

Kjo lloj veshjeje është e fokusuar në fuqinë e sugjerimit, ndonjëherë, ajo që duket se po shfaqet mund të mos jetë asgjë, siç ishte rasti me stilin e disenjatorit të njohur Jean-Paul Gaultier, i cili në vitet 1990 përdori modelet që krijonin iluzionin e “nudo-s”, pa zbuluar asgjë të vërtetë. Kjo tendencë u rifut edhe nga disenjatorë të tjerë si Glenn Martens.

Në fakt, disa prej shembujve më të hershëm të fustaneve transparente, si në rastin e Mae West në filmin “Go West, Young Man”  të vitit 1936, përdornin teknikën e qëndisjes për të krijuar efektin e lëkurës së zbuluar pa e shfaqur atë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo tregon se “fustanet transparente”, përkundër diskutimeve të shumta, mund të jenë modest në mënyrë të tillë që befasojnë shikuesit.

Por, si mund të arrihet një kulm i këtij fenomeni që gjithnjë është i lidhur me sugjerimin e zhveshjes? Për disa, veçanërisht për Censorin, e cila shpesh ka veshur veshje provokuese, kalimi nga një fustan transparent në zhveshjen e plotë mund të duket i vogël.

Në tapetin e kuq të “Grammy”, Censori shfaqej përkrah bashkëshortit të saj, Kanye West, i cili ishte veshur më thjesht. Pas kësaj shfaqjeje, shumë spekulime filluan, përfshirë raportimin se ata ishin shoqëruar jashtë eventit, një version që u mohua më vonë nga një burim i CNN-it.

“Ata nuk u shoqëruan jashtë! Kanye ishte i nominuar. Ata parakaluan në tapetin e kuq, pozuan për fotografët dhe pastaj u futën në veturën e tyre e shkuan”, ka thënë burimi.

Pas shfaqjes, çifti ndau fotografi të stilit “Polaroid” të Censorit në rrjetet sociale, ku West e quajti veshjen “ekskluzivitet të personalizuar”, por shumë njerëz e konsideruan më shumë një trup të zhveshur sesa një shfaqje mode të rafinuar.

Censori duket se e ka çuar tendencën e fustanit të tejdukshëm në një nivel ekstrem, me gazetarët e CNN-it që pyesin “A është kjo modë, apo thjesht një trup?”

Kur CNN ka pyetur se a ka shkelur Censori ligjin e Californias për ekspozimin trupor, një zëdhënës i departamentit policor të Los Angelesit, përmes e-mailit është përgjigjur duke thënë se: “nuk jemi informuar për ndonjë incident në ‘Grammy’”.

Ndërkohë as Akademia Muzikore e as kompania transmetuese CBS nuk i janë përgjigjur kërkesës së CNN-it për të komentuar.

Fenomeni i fustaneve të tejdukshme nuk është diçka e re. Në vitin 1962, aktorja Carroll Baker u fotografua me një fustan të tejdukshëm, të dizajnuar nga shtëpia e modës “Balmain”. Ky fustan, i mbuluar me kristale dhe perla, ishte një dizajn i posaçëm për të. 


Në vitet '60, moda për gruan po ndryshonte me shpejtësi, falë lëvizjes për çlirimin seksual dhe pilulës kontraceptive.

CNN gjithashtu ka shkruar se fustani i Bakerit u bë një temë diskutimi kur ajo u paraqit në kinema të Londrës në vitin 1964, duke tërhequr vëmendje për mënyrën se si e shfaqte trupin në publik.

Në vitet '60, zhveshja në filma u bë më e pranueshme, dhe Baker u bë një figurë e diskutuar për pranimin e zhveshjes. Ajo parashikoi që zhveshja në filma do të bëhej e pranueshme brenda 10 vjetëve. Kështu, ndërsa shtypi u ndez nga imazhi i saj i zhveshur, ajo u tregoi më shumë atyre.

Ndërkohë pamja e aktores së njohur Elle Fanning, me një fustan po ashtu nga “Balmain”, që dukej sikur ishte mbështjellë me akull, në ngjarjen e madhe të modës MET Gala vitin e kaluar, ishte më pak e diskutueshme se ajo e Bakerit. Ajo ka treguar se, edhe pas gjashtë dekadash, fustani i tejdukshëm mbetet ende një pjesë e rëndësishme e modës.

Top of Form

Bottom of Form