Showbiz

Ndikimi i Melania Trumpit në modën amerikane

Melania dhe Donald Trump në ditën e inagurimit

Melania dhe Donald Trump në ditën e inagurimit

Foto: Associated Press

Raporti i zonjës së parë me modën, sidomos me disenjatorët amerikanë, duket se do të ndryshojë me fillimin e mandatit të dytë të Donald Trumpit.Veshja e zonjave të para në ditën e inaugurimit presidencial në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shërben si lloj deklarate për media. Ajo konsiderohet se në njëfarë mënyre edhe i paraqet politikat qeverisëse të burrave të tyre, apo qëndrimin e vetë zonjave të para rreth politikave të SHBA-së. Këtë herë, në inaugurimin e presidentit të 47-të amerikan, Melania Trump, si zonja e parë, ka zgjedhur të vishet nga një disenjator i ri.

Melania Trump qëndroi përkrah bashkëshortit të saj në “Rotundan” e Capitolit në Washington DC të hënën, e veshur me një pallto të kaltër të errët, fund dhe bluzë me kollare të bardhë të dizajnuara nga stilisti i New Yorkut, Adam Lippes. Ndryshe nga veshja e kaltër prej kashmiri nga disenjatori i njohur Ralph Lauren që pati veshur gjatë inaugurimit të presidentit në vitin 2017 – që pati nxitur krahasime me një nga ish-zonjat e para të SHBA-së, Jacqueline Kennedy – këtë herë zonja e parë zgjodhi pamje shumë më të zymtë, me një kapelë me strehë të gjerë, nga disenjatori Eric Javits. Kapela ia mbuloi pjesën më të madhe të fytyrës së saj.

Ky stil, përveç kësaj, pasqyronte një Melania Trump serioze dhe të përmbajtur.

Sipas “Vogue Business”, vendimi që të vishet nga një disenjator më pak i njohur – të cilin veprim e ka bërë edhe më parë (më së fundmi në New York, verën e kaluar) – mund të shihet si pohim i saj se tani, gjatë mandatit të ri në Shtëpinë e Bardhë, po synon ta përdorë modën ndryshe.

Brendi i Adam Lippesit ka pak më shumë se një dekadë që ekziston. Ani pse Lippes, ka stil të sofistikuar që qëndron brenda margjinave të krijimtarisë të stilit amerikan, sipas njohësve të modës, ai nuk është ende në përmasat e Ralph Laurenit.

Në vitin 2017, që nga pamja e saj në inaugurim, kishte një ndjenjë se Melania, së bashku me bashkëshortin, do të provonin diçka të re. Jo thjesht që mund të visheshin siç duhej – një çështje që nuk ishte aq e vështirë për Melanian, pasi ajo është ish-modele – por se mund të projektonin imazhin e duhur të një familjeje politike amerikane.

Veshjen e tyre në inaugurimin e të hënës, “The Telegraph” e ka krahasuar me atë të familjes mbretërore britanike.


Sipas “Voguet”, zgjedhja e Ralph Laurenit tregon se Melania kishte mundësi të kishte qasje – ashtu si çdo zonjë e parë para saj – në më të mirën që moda amerikane kishte për të ofruar, si dhe se mund të integrohej me lehtësi në rolin e zonjës së parë.

Melania dhe stilisti i saj, Hervé Pierre, (ish-disenjator i brendit “Carolina Herrera”, që krijoi fustanin e saj për ballon e inaugurimit në vitin 2021) duket se po synojnë, që këtë herë ajo të luajë lojën e modës sikur paraardhëset saj. 

Sipas “Vogue”, veshja e Melanias me një brend jo fort të madh, është bërë në mënyrë që të tregojë se edhe ajo mund të bëjë që brendet e reja të shkëlqejnë më. Ngjashëm ka bërë ish-zonja e parë Michelle Obama me disenjatoren Isabele Toledo gjatë inaugurimit presidencial në vitin 2009, apo edhe ish-zonja e parë, Jill Biden me brendin “Markarian” nga disenjatorja Alexandra O'Neill në vitin 2021.

Melania mund ta shfrytëzojë këtë mundësi – pasi Shtëpia e Bardhë është një nga skenat më të mëdha për modën amerikane – për të ndryshuar strategjinë e elegancës dhe ta përshtatë më shumë me atë të paraardhëseve.

Një lidhje më e fortë me modën mund të sjellë gjithashtu më shumë vëmendje mediatike dhe kulturore ndaj Melanias, duke ia mundësuar të shfaqet si një personalitet tjetër, por në mënyrën e zonjave të para të kaluara.

Megjithatë, fakti që industria e showbizit ka refuzuar administratën Trump mund t’i pengojë këto ambicie. Por ky kundërshtim nuk është një garanci që kjo gjë do të ndodhë sërish këtë herë.

Një industri e pabindur

Kur Kamala Harris u betua si zëvendëspresidente në vitin 2021, ajo zgjodhi një pallto ngjyrë vjollcë nga disenjatori Christopher John Rogers. Mbrëmjen paraprake, ajo u vesh me brendin “Pyer Moss” dhe zgjodhi brendin “Sergio Hudson” për ballon inauguruese. Të gjithë janë disenjatorë afroamerikanë. 

Gjatë periudhës së tyre si zonjat e para, Michelle Obama dhe Jill Biden treguan një afinitet për disenjatorët dhe markat amerikane, ku Michelle Obama u bë e njohur për veshjen e markave të njohura të qendrave tregtare si “J Crew” dhe “Gap”. Ato dukej se e kuptonin fuqinë e pozitave të tyre për të ngritur dhe ndryshuar trajektoret e disenjatorëve të rinj, siç bëri Obama kur i kërkoi disenjatorit Jason Wu të krijonte fustanin e saj për ballon inauguruese.

Trump, në të kundërtën, nuk e lidhte veten shumë me modën amerikane gjatë mandatit të parë të bashkëshortit të saj. Ajo shpesh vishej me veshje të brendeve evropiane (si “Alexander McQueen” nga disenjatorja Sarah Burton, “Christian Dior”, “Dolce & Gabbana”), duke blerë veshje në dyqane, në vend që të mbante veshje të personalizuara si paraardhëset e saj.

“Vogue” po ashtu ka shkruar se disa kritikë mendojnë se kjo zgjedhje nuk ishte asgjë tjetër veçse një lëvizje e qëllimshme për të mos mbështetur industrinë amerikane.

Pse Melania nuk investoi në modën amerikane, ashtu siç kërkonte bashkëshorti i saj?

Sepse në disa mënyra, nuk kishte asnjë mundësi.

“Nuk kam asnjë interes të vesh Melania Trumpin”, pati thënë disenjatori i njohur Marc Jacobs për WWD në muajin nëntor të vitit 2016.

“Personalisht, do të doja të përqendroja energjinë time për të ndihmuar ata që do të dëmtoheshin nga Trumpi dhe mbështetësit e tij”, pati shtuar ai.

Rrymë e re

A do të ketë sërish rezistencë ndaj Melanias?

Sipas “Vogue”, është e pamohueshme që ka pasur një kalim të dukshëm drejt konservatorizmit në SHBA, veçanërisht në kulturën e rinisë dhe teknologjinë e re. 

Ndryshimi i klimës politike mund të nënkuptojë se kundërshtimi i hapur ndaj vlerave konservatore mund të ndihmojë në humbjen e klientëve.

Por a do të mund ta përballojë industria këtë?

“Vogue” shkruan se për markat si “Lippes”, të cilat janë të lidhura me stilin e klasit të lartë dhe të qytetit, duket e natyrshme të veshin Melania Trumpin.

Për markat që janë të shqetësuara për zhdukjen e konsumatorëve të majtë, mund të jetë gjithashtu mundësi e mirë për të tërhequr audiencë më të gjerë të blerësve, të cilët ndoshta nuk janë shërbyer ndonjëherë nga markat e mirënjohura të modës.