Ndërtesa ikonike në 66 Perry Street në Greenwich Village të New Yorkut, që është bërë e famshme nga seriali i njohur “Sex and the City” si apartamenti i protagonistes Carrie Bradshaw, rolin e të cilës e luan aktorja Sarah Jessica Parker, po përballet me rritje të madhe të numrit të vizitorëve. Kjo gjë e ka shtyrë pronarin e ndërtesës të kërkojë masa shtesë për të kufizuar shqetësimet që vijnë nga turma.
Pronarja i ka shkruar një letër Komisionit të Ruajtjes së Monumenteve të New Yorkut ku është shprehur se vizitorët “në çdo orë të ditës dhe natës, grumbullohen para shtëpisë duke bërë fotografi, duke bërë biseda të zhurmshme, duke postuar në media sociale, duke bërë video në TikTok, ose thjesht duke festuar momentin që po e shohin atë vend”.
Për të shmangur këto shqetësime, ajo ka vendosur një pengesë me zinxhir dhe një shenjë ku thuhet: “Ndalohet hyrja - Pronë Private”, por shumë prej vizitorëve nuk e respektojnë atë.

“Ata kapërcejnë mbi zinxhirin, pozojnë, vallëzojnë ose shtrihen në shkallë, shikojnë nga dritaret e katit të parë, provojnë të hapin derën kryesore, ose, kur janë të dehur natën vonë, trokasin në dyer”, ka shpjeguar pronarja.
Ka pasur gjithashtu raste kur janë lënë grafite dhe janë gdhendur iniciale në derën kryesore.
“Pas më shumë se 20 vjetësh duke shpresuar që fascinimi me shkallët e mija do të kalonte dhe fansat do të gjenin një objekt tjetër për të shprehur adhurimin e tyre, kam kuptuar se kemi nevojë për diçka më të fortë. Për të rifituar cilësinë e arsyeshme të jetesës për ne dhe për qiramarrësit tanë, na duhet të vendosim një portë të duhur”, ka thënë tutje pronarja.
“Sex and the City”, që u shfaq nga viti 1998 deri më 2004 dhe që ka fituar shtatë çmime “Emmy” gjatë, vazhdon të ketë numër të madh fansash.
Pas përfundimit të shfaqjes, dy filma dhe një serial i ri, si vazhdimësi, “And Just Like That”, e kanë mbajtur gjallë këtë pasion, veçanërisht ndër brezat më të rinj që e kanë gjetur në platformat e transmetimit si Netflix.