Krishtlindjet kanë ardhur para kohe në arkat filmike të Amerikës Veriore. Filmi i animuar “Moana 2” mblodhi nëpër kinema një numër të konsiderueshëm të publikut, duke shënuar rekord të arkëtimeve, prej 221 milionë dollarësh. Kjo shumë e kombinuar me fitimet e filmave të lansuar më herët, “Wicked” dhe “Gladiator II”, i dhanë një shtytje të konsiderueshme arkave filmike, gjë që nuk ndodh shpesh në muajin dhjetor.
Pritjet ishin të larta për vazhdimin e dytë të filmit të animuar, “Moana”, por ai i tejkaloi të gjitha pritshmëritë e kritikëve dhe ekspertëve. Brenda pesë ditëve të hapjes nëpër kinema, arriti të shënoj rekord të fitimeve. Hapje të tillë të suksesshme në të kaluarën kishte filmi “Frozen 2” me 125 milionë dollarë të arkëtuara në javën e dytë të shfaqjes.
Në të njëjtën kohë, interesimi i publikut për filmin “Wicked” vazhdon të jetë i njëjtë edhe në javën e dytë të lansimit. Projekti i studios “Universal Pictures” arriti t’i fitojë 117.5 milionë dollarë ekstra nga shitja e biletave, që i shtohen shumës së arkëtuar deri më tani prej 276 milionë dollarësh. “Wicked” tani është projekti më fitimprurës i bazuar në mjuzikëll të Broadwayt. Më herët këtë rekord e mbante filmi “Grease”.
Ndërkaq, “Gladiator II”, po ashtu ka gëzuar suksese të jashtëzakonshme në arkat filmike vendore. Vazhdimi i dytë i filmit shumë të pëlqyer nga publiku mbarë botëror, që vjen me regji të Ridley Scottit, i fitoi edhe 44 milionë dollarë nga shfaqja nëpër kinematë e Amerikës dhe Kanadasë. Vetëm dy javë pas lansimit, “Gladiator II” ka arkëtuar një shumë prej 117 milionë dollarësh. Kujtojmë se realizimi i tij, dy dekada pas filmit të parë të shpërblyer me “Oscar”, ka kushtuar rreth 250 milionë dollarë.
Këta tre filma i arkëtuan mbi 400 milionë dollarë duke ia dhënë një shtytje të fuqishme industrisë, e cila është goditur vitet e fundit nga pandemia, ndërprerjet e punës dhe trazirat e shkaktuara nga platformat digjitale. Ishte një fundjavë triumfuese që e tregoi dhe një herë fuqinë e madhe që kanë filmat me buxhet të lartë të Hollywoodit.