Showbiz

Missy Elliot dëshiron që adhuruesit të kënaqen në koncerte, jo të incizojnë me telefona

Missy Elliot

Missy Elliot

Këngëtarja e njohur, Missy Elliot, ka thënë se ajo dëshiron që adhuruesit të kënaqen nëpër koncerte e jo të qëndrojnë nëpër telefona duke incizuar.

53 vjeçja ka kujtuar kohën kur njerëzit shkonin e kënaqeshin nëpër koncerte kur nuk kanë pasur telefona të mençur.

“Do të doja që njerëzit të shijonin momentin ashtu siç bënim ne. Kur shikon koncertet e Janet Jacksonit, Bobby Brownit, i sheh spektatorët që nuk kanë telefona, ndërkohë që gjithçka që dëgjon janë të bërtitura, të qeshura, sheh njerëz duke kërcyer. Ata kanë qenë duke shijuar momentin. Do të doja të ishte ashtu, por tani nuk po e jetojmë më atë kohë”, ka thënë reperja për Entertainment Tonight.

Por ajo gjithashtu ka thënë se po të ishte pjesë e audiencës mbase do ta ndiente të nevojshme të incizonte gjithçka në mënyrë që të mos i ikte asgjë nga koncerti.

“E njoh veten, po të isha në një nga koncertet e mia, do ta nxjerrja telefonin e të incizoja sepse do të thosha me vete ‘Oh Zot, ka shumë gjëra këtu, nuk dua t’i humbas!’”, ka thënë Elliot.

Fituesja e çmimit “Grammy” është pyetur rreth çështjes së incizimit, pasi kolegu e shoku i saj, reperi Busta Rhymes, i ka kritikuar disa fansa që ishin në koncertin e tij më 5 korrik në festivalin Essence.

Ai iu ka thënë fansave t’i largojnë telefonat.

“Nuk jam nga ajo kohë. Këto pajisje nuk na kontrollojnë. Hiqni telefonat. Nuk jam mësuar që në koncertet e mia të shoh fansa duke ndenjur, jam mësuar t’i shoh duke kërcyer e duke u kënaqur”, u ka thënë adhuruesve Rhymes.