Reperi i famshëm Kendrick Lamar, gjatë shfaqjes së tij në spektaklin e pauzës ndërmjet dy pjesëve të ndeshjes së futbollit amerikan, Super Bowl 2025, mund të ketë dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë për rivalin e tij, reperin Drake, me zinxhirin e mbushur me gurë të çmuar, në të cilin varej shkronja “a” e vogël.
“Page Six” ka shkruar se ky detaj ka ngjallur shumë spekulime, pasi disa adhurues mendojnë se kjo është një aludim për tekstin e këngës së tij “Not Like Us”, ku ai e akuzon Drake për marrëdhënie me vajza të reja dhe e quan pedofil.

PERFORMANCA:
Një përdorues në rrjetin social X (ish-Twitter) ka shkruar: “Kendrick buzëqeshte para kamerës duke thënë Drake, vendosi një zinxhir me ‘a’-në e vogël dhe kishte Serenan? Ky njeri është një ‘supervillan’. 😂”.
Ky përdorues e pati fjalën për tenisten Serena Williams, e cila u shfaq si mysafire e befasishme në performancën e Lamarit.
Drake më herët pati treguar se ka pasur një lidhje romantike të shkurtër me tenisten e njohur.

Një përdorues tjetër i rrjeteve sociale ka thënë se “Zinxhiri i Kendrickut është për A MINORRRRRRR”.
Lamar e kompletoi paraqitjen me një xhaketë të personalizuar nga brendi “Martine Rose” dhe një brosh diamanti nga brendi “Rahaminov” që vlen 68,000 dollarë.
Sipas stilistit të tij, Taylor McNeill, kjo xhaketë përmbante punime dhe mbishkrime të personalizuara, ndërsa mbishkrimi “Gloria” në gjoksin e tij ishte një referencë për këngën nga albumi i tij i fundit “GNX”.

Nëse Lamar ka dërguar ndonjë mesazh të fshehtë për Draken përmes këtij zinxhiri, kjo nuk është hera e parë që ai ka përdorur veshjen për të bërë një aluzion ndaj rivalit të tij.
Edhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy”, ai kishte veshur një xhaketë të stilit kanadez duke e kombinuar xhaketën xhins me xhinse nga brendi “Maison Margiela” që nxiti spekulime për një “goditje” të mundshme ndaj Drake, i cili është nga Toronto, veprim të cilin “Page Six” e quajti “poetik”.
Kjo grindje ka vazhduar për më shumë se një dekadë, duke filluar me një diss të Lamarit në këngën e Big Sean, “Control” (2013), dhe ka vazhduar me këngë të tjera që lanë gjurmë në muzikën rep.
Sipas “Page Six”, përleshja ndërmjet dy artistëve duket se nuk ka përfunduar.