Showbiz

Merr kthesë të re përplasja ligjore në mes të Livelyt dhe Baldonit

Blake Lively dhe Justin Baldoni

Blake Lively dhe Justin Baldoni

Përplasja ligjore midis aktorëve të njohur Blake Lively dhe Justin Baldoni ka marrë një kthesë të re.

Lively e kishte paraqitur një ankesë ndaj aktorit Baldoni në dhjetor me pretendimin për ngacmim seksual dhe përpjekje të koordinuar për të dëmtuar reputacionin e saj. Ndërsa Baldoni e paditi Livelyn dhe bashkëshortin e saj Ryan Reynolds në janar, duke i akuzuar për shpifje dhe shantazh.

Tani, të dy aktorët përdorën një video nga xhirimet e filmit “It Ends With Us” për t’i mbështetur argumentet e tyre.

Videoja u publikua nga ekipi ligjor i Baldonit dhe u shpërnda fillimisht nga Daily Mail të martën. The Hollywood Reporter ka shkruar se, sipas ekipit të Baldonit, kjo video hedh poshtë disa nga akuzat që Lively ka ngritur ndaj tij. Ajo shfaq një skenë vallëzimi të ngadaltë mes personazheve në një bar, në të cilën Lively dhe Baldoni duken duke performuar me respekt dhe profesionalizëm.

E avokatët e Livelyt e kundërshtojnë këtë video, duke e quajtur “manipulim mediatik”. Ata thonë se videoja mbështet kërkesën e Livelyt, ku ajo pretendon se Baldoni ka bërë sjellje të papërshtatshme gjatë xhirimeve të filmit, përfshirë përpjekje për të puthur dhe prekur Livelyn pa pëlqimin e saj. Ata theksojnë se çdo moment i videos tregon Baldonin duke bërë veprime të papërshtatshme dhe pa diskutim paraprak me Livelyn.

Një tjetër pikë e rëndësishme në këtë çështje është ajo e pushtetit në mjedisin e punës. Sipas avokatëve të Livelyt, Baldoni, si regjisor dhe producent i filmit, kishte një pozitë të fuqishme dhe se sjellja e tij ka qenë e papranueshme në një mjedis pune, duke e vënë Livelyn në një situatë të pakëndshme.

Në përgjigje të këtyre akuzave, Bryan Freedman, avokati i Baldonit, ka thënë se Lively po përpiqet të shkatërrojë reputacionin e Baldonit përmes mediave dhe se videoja e publikuar është një reagim i drejtë ndaj akuzave të saj.

Ai gjithashtu ka kërkuar që procesi ligjor të vazhdojë në gjykatë dhe jo nëpërmjet publikut.