Showbiz

Melinda Gates për miliarderët në politikë: Po shohim personalitetet e tyre të vërteta

Melinda French Gates

Melinda French Gates

Foto: Associated Press

Melinda French Gates, një nga gratë më të pasura dhe e njohur për bamirësi, ka folur hapur për rolin në rritje të miliarderëve në politikën amerikane. 

Në një intervistë për CNN, ajo ka thënë se që pas vendimit të Gjykatës Supreme në rastin Citizens United v. FEC, të pasurit kanë fituar më shumë ndikim në politikë, shpesh përmes super PAC-ve dhe donacioneve të mëdha.

Super PAC (Political Action Committees), është komitet i pavarur politik që funksionon në këtë mënyrë:

Super PAC është një lloj komiteti i pavarur politik që ka të drejtë të mbledhë shuma të pakufizuara parash nga korporatat, sindikatat apo individët, por nuk lejohet që t’i dhurojë ato para drejtpërdrejt partive politike apo kandidatëve, dhe as të bashkëpunojë zyrtarisht me ta.
“Po shohim disa nga personalitetet e tyre të vërteta të dalin në pah në vitet e fundit. Mendoj se kjo ka qenë gjithmonë aty, si një nënkuptim tek shumë njerëz, por tani po del hapur”, ka thënë French Gates.

Ajo nuk ka përmendur emra konkret, por prania e Elon Musk, Jeff Bezos dhe Mark Zuckerberg në inaugurimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka shtuar shqetësimet se SHBA po shkon drejt një sistemi oligarkik, ku vendimet merren nga një grusht të pasurish.
French Gates ka theksuar se edhe pse i njeh personalisht shumë nga këta miliarderë, “kanë vlera që janë ndryshe nga të miat.”

“1 miliard dollarë për të drejtat e grave”

Pas divorcit nga miliarderi, Bill Gates, dhe largimit nga fondacioni “Gates”, Melinda, themeloi organizatën “Pivotal Ventures”, përmes së cilës vitin e kaluar premtoi 1 miliard dollarë deri në vitin 2026 për të drejtat e grave, veçanërisht në SHBA. Kjo përpjekje u nxit pas vendimit të Gjykatës Supreme më 2022 që rrëzoi të drejtën kushtetuese për abort.

“Nëse ke 1 miliard dollarë, ke një përgjegjësi morale”

Së bashku me Bill Gates dhe Warren Buffett, Melinda ka nisur nismën “The Giving Pledge” në vitin 2010, e cila synon t’i bindë miliarderët të dhurojnë të paktën gjysmën e pasurisë së tyre për bamirësi. Shumë figura të njohura e kanë nënshkruar, përfshirë edhe Sam Altman me bashkëshortin e tij, por jo Jeff Bezos, që sot është njeriu i dytë më i pasur në botë.

“Nëse ke një miliard dollarë, kjo është një shumë absurde pasurie. Ke një përgjegjësi morale për të dhënë të paktën gjysmën e saj”, ka thënë Melinda për CNN.

Ajo gjithashtu ka thënë se shpreson që Amerika të mos bëhet një oligarki.

Disa kritikë e kanë akuzuar administratën e Donald Trump për ndikim të tepruar nga të pasurit. French Gates ka thënë se ka votuar si për republikanët, ashtu edhe për demokratët, dhe nuk beson se donacionet e mëdha e kanë përcaktuar drejtpërdrejt rezultatin e zgjedhjeve.

“Shoh shumë donacione nga të dyja palët. Nuk do të thosha se njërës apo tjetrës i kanë sjellë fitoren”, ka shtuar ajo.