Dukesha e Sussexit, Meghan Markle, ka shprehur krenarinë që ndien për burrin e saj, Princin Harry, pas përfundimit të Lojërave “Invictus”, në fundjavë.
Lojërat “Invictus” janë ngjarje sportive ndërkombëtare që mbledh ushtarë dhe ushtarakë të plagosur nga e gjithë bota, për të garuar në një seri disiplinash sportive. Ato janë krijuar nga princi Harry për të ndihmuar në procesin e shërimit dhe rikuperimit të këtyre individëve, duke ofruar mundësi për të treguar forcën, guximin dhe qëndrueshmërinë përmes sporteve. Lojërat përfshijnë gamë disiplinash si atletikë, basketboll në karroca, not dhe sporte të tjera që kërkojnë aftësi fizike dhe shpirtërore.
E Markle ka publikuar një video të Harryt që mori duartrokitje të mëdha pas fjalimit në arenën “Rogers” në Vancouver, ku foli edhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka raportuar “FemaleFirst”.
“Po kthehem në shtëpi, duke u kujdesur për fëmijët tanë dhe duke e ndjerë shumë mungesën e Shën Valentinit tim, ndërkohë që ai vazhdon me Lojërat ‘Invictus’, duke ndryshuar jetë dhe duke na kujtuar të gjithëve fuqinë e shërimit dhe qëndrueshmërisë përmes këtyre ushtarëve të jashtëzakonshëm dhe familjeve të tyre. Jam shumë krenare për burrin tim dhe për atë që ka krijuar”, ka shkruar Markle

Ceremonia përmbyllëse përfshinte performanca muzikore nga Jelly Roll, The War and Treaty dhe Barenaked Ladies, ndërsa princ Harry mbajti një fjalim emocionues.
Ai ka falënderuar organizatorët, autoritetet dhe qytetarët kanadezë, dhe gjithashtu bëri homazhe për atletët dhe familjet e tyre.
“Për gratë, burrat, të dashurat, të dashurit, fëmijët, gjyshërit dhe miqtë tanë të ‘Invictus’, nëse mundeni, ju lutem çohuni në këmbë që të ju njohim - ne ju nderojmë”, ka thënë Harry.
Ai gjithashtu ka kujtuar ata që humbën betejën apo luftuan me vetëvrasjen.
Duka i Sussexit ka thënë se kishte kaluar 11 ditë duke takuar familje nga grupe të ndryshme besimesh, origjinash dhe aftësish, dhe se i kishte parë sesi ato ishin ndryshuar gjatë këtij procesi. Ai ka theksuar se të jesh hero apo model është shumë më tepër sesa forcë dhe aftësi.
“Na jepni shpresë me shërimin tuaj, sinqeritetin dhe humanizmin tuaj, dhe natyrisht me humorin tuaj! E dini shumë mirë për çfarë po flas. Është një shaka e grupit”, ka thënë ai.
Princi ka vlerësuar gjithashtu faktin që komuniteti ‘Invictus’ është mbledhur përsëri pas më shumë se një dekade, që kur ai e themeloi ngjarjen për ushtarët dhe veteranët e sëmurë, të plagosur dhe të lënduar.
“Në një botë ende plot me luftë dhe traumë, ne jemi bashkuar. Dhe sa më shumë që dëshirojmë që këto Lojëra të mos ishin të nevojshme, tani kuptoj pse ato janë ende të nevojshme, ndoshta më shumë se kurrë”, ka thënë tutje princi.
Duka i Sussexit ka shprehur mirënjohje për forcën që ky komunitet i jep botës dhe për fuqinë që ka shembulli i tyre.
“Teksa kurrë nuk e prisja që do të ishim ende këtu në vitin 2025, nga një ushtar për një tjetër, ju premtoj këtë, pasi vëllezërit dhe motrat tona do të vazhdojnë të shërohen, lojërat do të vazhdojnë”, ka thënë ndër të tjera ai.
Harry e ka mbyllur fjalimin me një mesazh për lojërat Invictus të vitit 2027, që do të mbahen në Birmingham duke thënë: “Lojërat Invictus 2027, mund të filloni festën”.