Showbiz

Megan Thee Stallion prezantuese e “MTV VMA 2024”

Megan Thee Stallion

Megan Thee Stallion

Para pesë vjetëve, Megan Thee Stallion performoi në koncertin që u mbajt para ceremonisë prestigjioze, “MTV Video Music Award”. Ndërsa sivjet ajo vjen në rolin e prezantueses së shout, që transmetohet live më 11 shtator nga arena “UBS” në New York. Megan është artistja e dytë që bën një ngritje të tillë dhe i besohet roli i udhëheqëses së një prej mbrëmjeve më të rëndësishme muzikore. Para saj, Nicki Minaj kishte performuar në koncertin paralajmërues të ngjarjes në vitin 2010 dhe dhjetë vjet më vonë e pati prezantuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Ndërkaq, për të katërtin vit me radhë, organizatorët e “MTV VMA” po ja besojnë punën e prezantimit rep-artistëve. Doja Cat e pati këtë rol në vitin 2021, pastaj Jack Harlow, LL Cool J dhe Nicki Minaj.

Kjo do të jetë hera e parë që Megan Thee Stallion e drejton një ceremoni shpërblyese. Në të kaluarën ka shërbyer vetëm si prezantuese e emisioneve “Saturday Night Live” dhe “The Tonight Shoë Starring Jimmy Fallon”.

Gjatë karrierës, Megan i ka fituar dy çmime “Video Music Awards” – në vitin 2019 triumfoi në kategorinë “Himni më i mirë fuqizues” për këngën “Hot Girl Summer” dhe një vit më vonë u nderua me çmimin “Kënga më e mirë hip-hop” për hitin e saj “Savage”. Sivjet është e nominuar në 5 kategori – “Bashkëpunimi më i mirë” për “Wanna Be” me rep-artisten GloRilla, “Kënga më e mirë hip hop” për “Boa” dhe tri kategori tjera që vlerësojnë punën teknike të kësaj kënge si, regjia, efektet vizuale dhe krijimtaria artistike.

Në muajin shkurt, kënga “Hiss” e Meganit u pozicionua në vendin e parë të toplistës së 100 këngëve më të mira “Billboard”. Kjo është hera e tretë që një projekt i saj pozicionohet në maje të listës, por e para këngë e Meganit pa ndonjë bashkëpunëtor. Në të kaluarën e kishte arritur këtë sukses me këngën “Savage” në bashkëpunim me divën e muzikës Beyoncé, dhe me hitin “WAP” në bashkëpunim me Cardi B.

Suksese të kënaqshme Megan ka arritur dhe me albumin e tret muzikor të lansuar në mars të këtij viti. I titulluar “MEGAN”, albumi debutoi në pozitën e tretë të toplistës së 200 albumeve më të mira “Billboard”.