Akuza ndaj reperes

Megan Thee Stallion paditet nga ish-fotografi i saj

Megan Thee Stallion

Megan Thee Stallion

Foto: Associated Press

Një fotograf që ka punuar për Megan Thee Stallion ka ngritur të martën një padi kundër reperes, përmes të cilës pretendon se ishte detyruar që të ishte prezent derisa ajo po kryente marrëdhënie seksuale, se menjëherë pas kësaj ishte pushuar, dhe se ishte abuzuar si punonjës i saj.

Në padinë e paraqitur në Gjykatën Supreme të Los Anxhelosit, fotografi Emilio Garcia, ka thënë se pas një nate jashtë në vitin 2022 në Ibiza të Spanjës, derisa ishte në një veturë SUV bashkë me artisten e hip-hopit, ajo kishte kryer marrëdhënie seksuale me një grua tjetër në prezencë të tij. Sipas Garcias, ai nuk kishte asnjë mundësi që të largohej nga vetura në lëvizje, raporton AP. 

Fotografi pretendon në padi se ishte “turpëruar, mërzitur dhe ofenduar gjatë gjithë sprovës". 

Avokati i Megan, Alex Spiro ka thënë se ajo do ta padiste fotografin. 

“Kjo është një deklaratë e një të punësuari, për para, pa asnjë pretendim për ngacmim seksual dhe me akuza të turpshme për ta vënë në siklet atë”, ka thënë Spiro.

Garcia pretendon më tutje në padi se Megan i kishte kërkuar atij që të mos e diskutonte asnjëherë atë që e kishte parë, dhe se e kishte qortuar dhe turpëruar atë. 

Ankesa thotë gjithashtu se Garcia, i cili tashmë kishte menduar të largohej nga puna për shkak se ishte i mbingarkuar dhe i papaguar, në një mjedis pune armiqësor, të rënduar nga posesiviteti dhe abuziviteti i Meganit, ishte klasifikuar gabimisht si një kontraktues i pavarur, por trajtohej si një punonjës ekskluziv.

Sipas padisë, fotografi i kishte ngritur këto çështje në një diskutim me Megan, mirëpo menjëherë pas kësaj ishte pushuar nga puna, pas kishte punuar për katër vjet për reperen. Që atëherë ai ka paraqitur një ankesë për diskriminim në punë në Departamentin e të Drejtave Civile të Kalifornisë. 

Padia, e raportuar fillimisht nga NBC News, emëron si të pandehur Meganin, emri ligjor i së cilës është Megan Pete, kompanitë e saj Megan Thee Stallion Entertainment dhe Hot Girl Touring, dhe menaxhmentin e saj, Roc Nation. 

Garcia po kërkon dëmshpërblim financiar duke pretenduar se ai ka vuajtur rëndë si emocionalisht ashtu edhe fizikisht për shkak të trajtimit të tij në punë, dhe detyrimit për të parë skenën në SUV. 

Megan, 29 vjeç, ishte përfshirë më parë në një dramë të madhe ligjore, si viktimë e të shtënave me armë nga reperi, Tory Lanez. Juria kishte gjetur se ajo ishte qëlluar në këmbët e saj në një rrugë në Hollywood Hills në vitin 2020. Ajo dëshmoi në gjyqin ku juristët e dënuan Lanezin për tri krime dhe një gjyqtar e dënoi me 10 vjet burgim.

Megan është bërë që atëherë një nga yjet më të mëdhenj të hip-hop-it. Ajo fitoi një Grammy për artistin e ri më të mirë në vitin 2021, derisa ka bashkëpunime me Beyoncé dhe Cardi B.