Aktori 55-vjeçar Matthew McConaughey ka thënë se beson që shkrimi i kujtimeve të tij në librin “Greenlights”, të cilin e ka botuar në vitin 2020, e ka ndihmuar të bëhet një aktor më i mirë.
Pas një pauze gjashtëvjeçare nga aktrimi, fituesi i çmimit “Oscar” rikthehet me thrillerin “The Rivals of Amziah King”, duke reflektuar mbi ndikimin që ka pasur ky libër në karrierën e tij, ka shkruar Variety.
McConaughey hapi ditarët e tij të vjetër për të shkruar librin “Greenlights”, proces të cilin ai e përshkruan si një formë vetëreflektimi.
“Ishte një përvojë jashtëzakonisht e sinqertë, që më detyroi të jem i ndershëm me veten time. Më ndihmoi të kuptoja veten dhe të pranoja atë që jam. Kjo më dha më shumë besim dhe më bëri një aktor më të hapur”, ka thënë 55 vjeçi.
Gjatë periudhës larg aktrimit, McConaughey punoi në projekte zanore dhe u përkushtua ndaj familjes. Ai e sheh këtë shkëputje si diçka të vlefshme:.
“Më duhej të shkruaja historinë time në letër”, ka thënë ai.
Por sapo u rikthye në aktrim, ai ka kujtuar shpejt se sa shumë e do këtë profesion.
“Më kujtohen tri gjëra: Së pari, sa shumë e shijoj aktrimin. Së dyti, sa mirë e bëj këtë punë. Dhe së treti, aktrimi për mua është si një pushim – është momenti kur përqendrohem vetëm në një gjë dhe gjej të vërtetën e karakterit tim”, ka thënë aktori.
McConaughey, i cili ka tre fëmijë me bashkëshorten Camila Alves, ka theksuar se mbështetja e saj është thelbësore.
“Kur dal nga shtëpia në mëngjes, gruaja ime më thotë: ‘Shko dhe bëj më të mirën, unë kujdesem për fëmijët’. Kjo për mua është pushim i vërtetë – një përqendrim i plotë në artin tim”, ka thënë tutje aktori.