Showbiz

Madonna nderon vëllanë e ndjerë

Madonna dhe vëllai i saj Christopher Ciccone

Madonna dhe vëllai i saj Christopher Ciccone

Ylli me famë botërore, Madonna, ka lëshuar një deklaratë përmes së cilës ka nderuar vëllanë e saj, Christopher Ciccone, i cili vdiq ditë më parë në moshën 66 vjeçe.

Përfaqësuesit e Ciccones kanë konfirmuar vdekjen duke thënë se vdiq në mënyrë paqësore i rrethuar nga dashuria e burrit të tij, Ray Thacker dhe të dashurve të tjerë që ishin të pranishëm.

Këngëtarja ka ndarë disa fotografi ku shihet bashkë me vëllanë e saj ndër vite duke filluar me fjalinë “Vëllai im Christopher ka shkuar”.

“Ai ishte njeriu më i afërt me mua deri më tash. Është e vështirë ta shpjegoj lidhshmërinë që patëm.  Kjo lidhshmëri u rrit nga mirëkuptimi që patëm në mes vete se ishim ndryshe dhe shoqëria do të na ndëshkonte që nuk do ta ndiqnim ‘status quon’ e tyre”, ka shkruar Madonna, raporton Fox News.

Ajo ka thënë se tërë fëmijërinë e kishin kaluar duke vallëzuar, duke e quajtur atë vallëzim “super ngjitësin” që i mbajti të bashkuar.

“Pasi zbuluam vallëzimin në vendlindjen tonë, më shpëtoi mua, pastaj edhe vëllain tim. Mësuesi i baletit, i cili gjithashtu quhej Chrisopher, krijoi një hapësirë të sigurt ku vëllai im, që ishte homoseksual, ndihej mirë. Një fjalë që nuk u fol e as nuk u pëshpërit në vendin ku jetonim”, ka shkruar Madonna.

Këngëtarja pati thënë se Ciccone i ishte bashkuar në New York për t'i ndihmuar në karrierën prej këngëtareje përmes vallëzimit.

“Ne patëm vallëzuar se bashku në fillim të karrierës time dhe me kalimin e kohës, ai u bë drejtor kreativ i shumë turneve të mia. Kur bëhej fjalë për shijen e mirë, ai ishte Papa i shijes së mirë dhe duhej të ia puthje unazën në mënyrë që të merrje bekimin e tij”, ka shkruar ndër të tjera ylli.

Madonna dhe vëllai i saj kishin disa probleme në të kaluarën, por diagnostikimi i Ciccones më kancer, duket se i bashkoi përsëri.

“Vitet e fundit nuk ishin fare të lehta. Ne nuk folëm për një kohë, por kur vëllai im u sëmur, gjetëm rrugën për te njëri-tjetri. Bëra gjithçka që munda që ta mbaj gjallë se më gjatë që të ishte e mundur. Ai po vuante shumë nga dhimbjet, ne mbyllëm sytë e filluam të vallëzonim prapë. Bashkë. Jam e lumtur që nuk po vuan më. Nuk do të jetë me askush si ai. E di që është duke vallëzuar diku”, ka thënë në deklaratën e saj të gjatë Madonna.