Presidenti i Francës, Emmanuel Macron po shpreson që këngëtarja me famë botërore, Celine Dion, ta ketë mundësinë të performojë në ceremoninë e hapjes të Lojërave Olimpike në Paris që mbahet të premten.
“Do të ishte lajm fantastike po të performonte Celine Dion në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike sivjet në Paris”, ka thënë Macron, pasi është spekuluar se këngëtarja do të shfaqet në këtë ngjarje, shkruan BBC.
Ylli, me prejardhje kanadeze, është parë ne kryeqytetin francez, të premten.
Dion, e cila ka bërë këngë në gjuhën angleze dhe franceze, është në mesin e yjeve të tjerë, që po përflitet që do të jenë prezent në këtë ngjarje si Lady Gaga.
“Duket se ajo ka arritur në Paris, është mrekulli! Do të isha shumë i lumtur po të merrte pjesë në këtë ceremoni hapëse. Nuk do të zbulojë asgjë se çfarë kanë përgatitur organizatorët. Do të ketë edhe një befasi”, ka thënë Macron për kanalin France2.
Celine Dion është diagnostikuar me sindromën e muskujve të ngurtësuar, në muajin dhjetor të vitit 2022. Përformanca e saj në Paris do të shënonte rikthimin e këngëtares në skenë pas një kohe të gjatë që po përballet me sëmundjen.
Artistja e njohur Lady Gaga po ashtu është raportuar të ketë arritur në Paris dhe spekulohet se edhe ajo do të performojë në ceremoninë hapëse të lojërave Olimpike.
Thuhet se në këtë ngjarje do të performojë edhe këngëtarja franceze e zhanrit R&B Aya Nakamura.