Showbiz

Macet kanë më shumë të drejta se gratë afgane, thotë Meryl Streep

Meryl Streep

Foto: Associated Press

Macet kanë më shumë liri se gratë në Afganistan, ka thënë aktorja hollivudiane Meryl Streep, në një apel ndaj komunitetit ndërkombëtar që të ndalojë represionin e talebanëve.

Duke folur në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, aktorja vuri në dukje se edhe kafshët kanë më shumë të drejta tani në Afganistan pas rritjes së kufizimeve ndaj grave, raporton BBC.

Në përgjigje ndaj deklaratave të saj një zëdhënës i talebanëve ka thënë se ata "i respektojnë shumë" gratë dhe nuk do t'i krahasonin kurrë me macet.

Komentet e Streep vijnë pasi qeveria talebane muajin e kaluar prezantoi një grup të ri "ligjesh morale".

Ndër të tjera, këto rregulla thonë se zërat e grave nuk mund të dëgjohen më në publik dhe se ato nuk lejohen të shikojnë drejtpërdrejt burrat me të cilët nuk kanë lidhje gjaku apo martese.

Masat shtojnë një sërë kufizimesh që regjimi ka vendosur ndaj grave dhe vajzave afgane që nga kthimi në pushtet, tri vjet më parë.

Gratë duhet të mbulojnë plotësisht fytyrën dhe trupin e tyre kur dalin nga shtëpitë e tyre. Gratë dhe vajzat gjithashtu nuk lejohen të shkojnë në shkolla, parqe, palestra dhe klube sportive. Ka kufizime për llojin e punës që ato lejohen të bëjnë.

"Sot në Kabul një mace femër ka më shumë liri se një grua. Një mace mund të ulet në verandën e saj dhe të ndjejë diellin në fytyrën e saj, ajo mund të ndjekë një ketër në park”, ka thënë Streep të hënën në selinë e OKB-së në New York, në një ngjarje ndërgjegjësimi për të drejtat e grave afgane.

“Një zog mund të këndojë në Kabul, por një vajzë nuk mundet. Kjo është e jashtëzakonshme. Kjo është një shtypje e ligjit natyror. Mënyra se si kjo kulturë, kjo shoqëri është përmbysur, është një përrallë paralajmëruese për pjesën tjetër të botës”, ka deklaruar Streep, i cila u bëri thirrje liderëve botërorë që të "ndalojnë mbytjen e ngadaltë" të grave dhe vajzave afgane.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili mori pjesë në të njëjtën ngjarje, ka thënë se Afganistani "nuk do të zërë kurrë vendin e tij të merituar në skenën globale" pa gra të arsimuara dhe gra të punësuara. 

Në përgjigje të komenteve të Streep, një zëdhënës i talebanëve ka thënë se "askush nuk mund t'ua mohojë grave të drejtat që u ka dhënë Islami".

"Ne i respektojmë shumë ato në rolin e tyre si nënë, motër, grua. Ato janë një pjesë thelbësore e familjes dhe shoqërisë, por ne kurrë nuk i krahasojmë me macet”, ka thënë Suhail Shaheen, kreu i zyrës politike të talebanëve. 

Ai ka shtuar se aktualisht qindra mijëra gra punojnë në ministri të ndryshme qeveritare dhe si sipërmarrëse.

Vendet perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, i kanë dënuar ligjet e reja, por talebanët e kanë mbrojtur dekretin duke thënë se ai është në përputhje me ligjin islamik të Sheriatit.

Talebanët gjithashtu kanë thënë se po përpiqen të ndryshojnë sistemin arsimor për t'u përafruar më afër me parimet islame dhe kanë premtuar vazhdimisht se gratë do të ripranohen në shkolla pasi të zgjidhen këto çështje. Megjithatë, deri më sot nuk ka pasur asnjë lëvizje.