Showbiz

Lil Nas X në spital me paralizë të pjesshme në fytyrë

Lil Nas X

Lil Nas X

Foto: Associated Press

Reperi dhe këngëtari i njohur Lil Nas X ka bërë të ditur se po përballet me paralizë të pjesshme në fytyrë, ka raportuar BBC. Ai ka ndarë me ndjekësit e tij në Instagram një video nga spitali, në të cilën ka thënë se kishte “humbur kontrollin” mbi anën e djathtë të fytyrës.

“Ky jam unë duke bërë një buzëqeshje të plotë tani, për hir të informacionit. S’po mundem as të qesh siç duhet”, ka thënë reperi, teksa përpiqej të buzëqeshte.

Megjithatë, reperi 26-vjeçar, emri i vërtetë i të cilit është Montero Lamar Hill, u përpoq ta mbante humorin dhe siguroi fansat se ishte mirë.

“Do dukem pak qesharak për pak kohë, por do të përfundojë shpejt”, u shpreh ai.

Në komentet e postimeve të tij, shumë fansa dhe miq të famshëm i kanë shprehur shqetësimin dhe mbështetjen.

“Shërohu shpejt, zemër”, ka shkruar aktorja Taraji P.Henson. Ndërsa këngëtarja Shirley Manson nga grupi “Garbage” shtoi: “Të dërgoj dashuri.”

Komediania Wanda Sykes ka komentuar me këshillë. “Ndonjëherë trupi yt të thotë që të ndalosh pak. Pusho dhe qetësohu”, ka thënë ajo.

Lil Nas X vazhdoi të bënte shaka edhe nga shtrati i spitalit, duke lëvizur kamerën nga ana e majtë në të djathtën e fytyrës dhe duke thënë: “Këtu jemi normal, këtu fillon çmenduria!”.

Çfarë mund të jetë shkaku?

Edhe pse artisti nuk e ka bërë publik diagnozën e saktë, fansat kanë spekuluar se mund të jetë fjala për Bell’s Palsy, një gjendje që shkakton paralizë të përkohshme të një anë të fytyrës, apo Ramsay Hunt Syndrome, sindromë që ndodh kur virusi i lisë së dhenve godet nervin e fytyrës pranë veshit, duke shkaktuar edhe probleme me dëgjimin ose zhurma në vesh.

Të dyja këto gjendje që shfaqen shpesh pas një infeksioni ose periudhe të gjatë stresi dhe zakonisht janë të përkohshme.

Në vitin 2022, këngëtari Justin Bieber u detyrua të anulojë një pjesë të turneut të tij botëror pasi u diagnostikua me Ramsay Hunt Syndrome. Edhe prezantuesja Tulisa Contostavlos ka treguar më herët se vuan nga raste të përsëritura të Bell’s Palsy, të cilat zgjatin deri në shtatë muaj nëse nuk trajtohen me kortikosteroide brenda 72 orëve të para.

Projektet muzikore dhe jeta artistike

Paralelisht me këtë gjendje shëndetësore, Lil Nas X kishte qenë duke promovuar albumin e ri të shkurtër me tetë këngë, të titulluar “Days Before Dreamboy”, që pritet të jetë hyrja për albumin e tij të dytë pas suksesit të “Montero” në vitin 2021.

Në një intervistë me radion Hot 107.9 në Atlanta muajin e kaluar, ai pranoi se e kishte kaluar fillimin e vitit 2024 në një periudhë të vështirë.

“Isha shumë i humbur dhe përpiqesha t’i përshtatesha çdo kujt tjetër, përveç vetes”, pati thënë ai.
Ndërsa në ceremoninë e ndarjes se çmimeve “GLAAD” të muajit të kaluar, artisti zbuloi se kishte refuzuar një bashkëpunim me Taylor Swiftin.

“Po punonim për diçka. Ajo më ftoi të provoj një varg, por nuk ndjeva energjinë e duhur, kështu që nuk ndodhi”, ka thënë ai për E! News.