Producentja dhe skenaristja e njohur amerikane, Lena Dunahm, ka hequr dorë nga krijimi i filmit për lodrën e njohur, “Polly Pocket”, e cila prodhohet nga gjiganti i lodrave “Mattel”.
Në një intervistë, ajo ka bërë të ditur se nuk është më duke punuar në skenarin që ishte duke e përgatitur për filmin e bazuar në lodrën e “Mattelit”.

“Do të ju tregoj diçka që s’i kam treguar askujt. Nuk do ta bëj filmin ‘Polly Pocket’”, ka thënë ajo për revistën New Yorker.
Dunham ka vazhduar tutje duke treguar se e ka shkruar skenarin dhe ka punuar në të për tri vjet me radhë, por kur i ra ndërmend se puna që e bën producentja Nancy Mayers, përshtatet në mënyrë të përkryer me projektin përfundimtar, erdhi në përfundim se puna që e bëri nuk është si e Nancyt.
Skenaristja ka lavdëruar edhe punën që bëri regjisorja e njohur Greta Gerwig me filmin e shumëpërfolur “Barbie” duke e quajtur punën e saj ‘perfeksion’.
“U ndjeva sikur nëse nuk do të mund ta bëja punën në atë mënyrë, nuk do ta bëj fare. Nuk mendoj se e kam këtë dhunti brenda meje. Ndjej që kur ta bëj filmin tjetër do të duhet ta ndjej punën deri në perfeksion e të më duket që askush pos meje nuk do të mund ta bëjë. Për ‘Polly Pocket’ kam menduar se dikush tjetër do të mund ta bënte”, ka shpjeguar Dunham.
“Mattel”, gjatë vitit 2021 pati konfirmuar se Dunham do ta bëjë skenarin dhe regjinë si dhe do jetë edhe producente e filmit “Polly Pocket”, në të cilin do të luante aktorja Lily Collins.
