Showbiz

Lady Gaga lanson albumin e ri në muajin mars

Lady Gaga

Aktorja dhe kantautorja e shpërblyer me “Grammy”, Lady Gaga, do ta publikojë albumin e saj të shtatë të incizuar në studio më 7 mars të këtij viti, dhe sipas raportimeve në media, do të eksplorojë temat e kaosit dhe transformimit. Incizimi me 14 këngë të reja do të titullohet, “Mayhem”.

Ky projekt vjen pas albumit të vitit të kaluar, “Harlequin”, një kompilim me këngë të realizuara për filmin “Joker: Folie à Deux”. Albumi ishte pozicionuar në vendin e 20-të të toplistës së 200 këngëve më të mira “Billboard”.

Dy prej këngëve të albumit të ardhshëm, “Mayhem”, të cilat tashmë janë lansuar për publikun dhe fansat e Gagas, kanë shënuar goxha sukses. “Disease” arriti të pozicionohet në vendin e 27-të të toplistës së 100 këngëve më të mira, kurse “Die With a Smile”, një bashkëpunim me yllin Bruno Mars, i kaloi tri javë në pozitën e parë të kësaj topliste.

“Personalisht mendoj se kjo është periudha që jam ndier më e kthjellët rreth vetes sime në këto dhjetë vjetët e fundit. Ndihem më shumë në elementin tim me këtë muzikë të re. Dhe kur mendimet i ke të qarta, ndihesh e shëndetshme dhe e lumtur, mendoj se ky është momenti kur arti yt mund të fluturojë me të vërtetë”, ka thënë ajo.

Sipas një komunikate që paralajmëron lansimin e albumit, “Mayhem” i risjell tingujt e hershëm muzikor të Gagas me një qasje kaleidoskopike, që bazohet në bibliotekën e saj të gjerë muzikore dhe duke përqafuar një perspektivë të freskët dhe të guximshme artistike.

Lady Gaga do të debutojë këngën e tretë dhe videoklipin muzikor shoqërues nga “Mayhem” të dielën, duke u transmetuar gjatë një pauze reklamash në ceremoninë “Grammy”. Ajo gjithashtu i bashkohet artistëve si Billie Eilish, Olivia Rodrigo, Stevie Nicks dhe Joni Mitchell, në ngjarjen bamirëse të së enjtes “FireAid”, e cila ka për qëllim të mbledh fonde për njerëzit dhe komunitetet e prekura nga zjarret që pushtuan Los Angelosin.