Showbiz

Lady Gaga konfirmon vazhdimin e projektit muzikor “Telephone”

Lady Gaga

Lady Gaga

Foto: Associated Press

Lady Gaga ka konfirmuar se vazhdimi i projektit të saj të famshëm muzikor “Telephone” është në rrugë e sipër, por nuk ka zbuluar nëse kolegia e saj nga bashkëpunimi i mëparshëm, Beyoncé, do të jetë pjesë e tij.

Gjatë një interviste në serinë “Lie Detector” të prestigjiozes Vanity Fair, këngëtarja 38-vjeçare u pyet nëse do të kishte një vazhdim të “Telephone”, dhe ajo u përgjigj shkurt me: “Po”, ka raportuar FemaleFirst.

Megjithatë, kur u pyet nëse Beyoncé do të merrte pjesë sërish, Gaga u shpreh me një përgjigje të paqartë: “ndoshta”.

Ajo gjithashtu sqaroi se vonesa nuk lidhet me oraret e agjendës së tyre.

VIDEO:

Videoklipi i  këngës “Telephone”, i publikuar në vitin 2010, shfaq Lady Gagan si një të burgosur për vrasjen e të dashurit të saj.

Beyoncé shfaqet duke e liruar nga burgu, dhe bashkë nisin një seri ngjarjesh dramatike. Në fund të klipit shfaqet mesazhi “To be continued...”, duke lënë të hapur mundësinë e një vazhdimi.

Kënga, e cila fillimisht ishte shkruar për këngëtaren e njohur Britney Spears por u refuzua prej saj, përmban vargun e famshëm: “Hello, hello, baby, you called, I can’t hear a thing...”.
Kur u pyet nëse ndonjëherë kishte hapur telefonin duke e thënë këtë frazë, Gaga u përgjigj duke thënë se mund ta ketë bërë.

“Mendoj se mund ta kem bërë, por ndoshta jo. Jam shumë e keqe në këtë lojë, sapo thashë po, jo dhe ndoshta”, ka thënë Gaga.

Kur një anëtar i ekipit i tha se detektori i gënjeshtrave konfirmoi që ajo po thoshte të vërtetën, Gaga qeshi dhe tha se i vjen “mirë ta di këtë”.