Showbiz

Kritikohet si “tepër nostalgjik” trendi i veshjeve në “Golden Globes”

Zendaya në tepihun e kuq të edicionit të 82-të të spektkalit të ndarjes së çmimeve "Golden Globes"

Zendaya në tepihun e kuq të edicionit të 82-të të "Golden Globes"

Foto: Associated Press

Hollywoodi ka qenë gjithmonë i njohur për sensin e tij progresiv dhe avangardë, por në ceremoninë e 82-të ndarjes së çmimeve “Golden Globes” të vitit 2025, tepihu i kuq dukej sikur po i kthehej një ndjenje më konservative dhe nostalgjike.

Ani pse momentet tradicionale të shkëlqimit dhe glamurit ishin të pranishme, trendi më i dukshëm i natës ishte kthimi në stilin klasik të Hollywoodit.
 

Sipas kritikës që ka shkruar Vanessa Friedman në  New York Times, ky trend nuk dukej sikur ishte vetëm “një rikthim prapa”.

Friedman ka shkruar se aktorja e njohur Ariana Grande hapi natën duke u dukur si aktorja ikonike Audrey Hepburn me një fustan me ngjyrë të butë nga brendi “Givenchy”, nga viti 1966. Pas saj ylli Selena Gomez i ngjante ish-zonjës së parë të Shteteve të Bashkuara,  Jackie Kennedy, me një fustan të kaltër të hapur nga brendi “Prada”, ndërsa aktoret Nicole Kidman dhe Margaret Qualley shfaqën dy fustane të mëdhenj nga “Balenciaga” dhe “Chanel”, duke i kombinuar me flokë të stiluar në formë të fryrë sikur Catherine Deneuve. 

“Aktoret Elle Fanning dhe Monica Barbaro sjellin një version të ri të fustaneve të mrekullueshme të viteve 1950 nga ‘Balmain’ dhe ‘Dior’”, ka shkruar Friedman.

Ajo ka shtuar se aktorja Pamela Anderson gjithashtu shkëlqeu me një fustan sikur të ishte Madame X nga brendi “Oscar de la Renta” dhe doreza të zeza të gjata, një nga aksesorët më të njohur të natës.
Friedman e ka kuptuar se “nostalgjia” ishte tema kryesore e natës kur ikona e modës, Zendaya, u shfaq me një fustan portokalli në nuancë ari të errët nga brendi “Louis Vuitton”, frymëzuar nga vitet ‘50.
Pavarësisht se të gjithë këta yje dukeshin mjaft glamuroze, Friedman mendon se nuk dukeshin modernë.
“Fustanet e tyre, edhe pse të mrekullueshëm, nuk sfiduan normat e modës dhe nuk sollën asgjë të re. Ata thjesht po ‘luanin’ një rol, duke e përqafuar modën e kaluar të ‘Hollywoodit të artë’”, ka thënë ajo.

Ky trend mund të lidhet me një neurozë të njohur në Hollywood për të mos u dukur “të çuditshëm” në tapetin e kuq, një fenomen që është intensifikuar pas kritikave të Joan Rivers për modën që ndjekin yjet.

Friedman ka thënë se në ditët e sotme stilistët janë ata që përcaktojnë shumë nga zgjedhjet e veshjeve, shpesh duke zgjedhur kreacione që do t’u japin rehati klientëve të tyre, në vend që t’i shtyjnë ata të rrezikojnë.

“Fustani i Zendayas, për shembull, ishte një homazh ndaj Louis Vuittonit, pasi ajo është një përfaqësuese e markës dhe jo një ide inovative në modë”, ka thënë ajo.

Friedman ka thënë se ky trend mund të lidhet me klimën politike, që kërkon një kthim në të kaluarën. 

“Siç mund të shihet në politikë, gjithashtu edhe në modë, kur jemi të pasigurt për të ardhmen, është më e sigurt të kthehemi në sigurinë e së kaluarës”, ka thënë kritikja.

Glamuri i Hollywoodit të artë, si dhe imazhet e asaj periudhe, ofrojnë një lloj “shpëtimi” nga momentet aktuale.

Megjithatë, ndërsa të gjithë këta njerëz dukej se ishin të mrekullueshëm, ata nuk e sfiduan asnjëherë modën, as nuk sollën diçka të re. 

“Tepihu i kuq, që gjithmonë ka qenë një hapësirë për krijimtari dhe zgjedhje avangarde, duket se është kthyer në një pasqyrim të ngurtë të stileve të kaluara, pa sjellë asgjë të re. Edhe pse mund të duket se kudo nëpër tepihë të kuq nuk ka vend për eksperimentime, kjo nuk duhet të jetë gjithmonë e vërtetë”, ka thënë Froiedman.

Sipas saj, tepihu i kuq duhet të jetë një vend ku mund të sillen të rejat nga pista dhe t’i bëjnë ato të kuptueshme për një audiencë më të gjerë.

Megjithatë, ajo ka thënë se kishte disa yje që thyenin këtë trend të vjetruar.

Aktorja Ayo Edebiri e veshi një kostum “Loewe” me një lidhëse të gjatë flatrash ari, ndërsa ylli Ali Wong ishte e paharrueshme në një fustan të shpuar të kuq nga brendi “Balenciaga”, duke mbajtur syze të errëta, ashtu siç është karakteristikë për të. 

Jeremy Strong gjithashtu shkëlqeu me një kostum të gjelbër Loro Piana dhe një kapelë të stilit “bucket”. “Këto pamje ishin të pazakonta,  të paharrueshme dhe jo vetëm nostalgjike, ato kishin guximin për të qenë vetvetja dhe për të krijuar një ndikim të rëndësishëm në modë”, ka thënë Friedman.

Në fund çmimet e “Golden Globes”, të cilat ishin fituar nga filma të pavarur dhe të guximshëm si “Emilia Pérez” dhe “The Brutalist”, si dhe fitorja e papritur e aktorëve si Demi Moore dhe Sebastian Stan për filmat “The Substance” dhe “A Different Man”, Friedman ka thënë se pasqyruan vlerën dhe fuqinë që vjen nga guximi për të qenë ndryshe dhe për të ndjekur një vizion të veçantë.

Ajo shpreson që, ndërsa ngjarja e ndarjes së çmimeve “Oscars” po afron, yjet do të guxojnë të veshin diçka më të guximshme në tepih të kuq, më të eksperimentuar dhe më pak të lidhur me të kaluarën.