Disenjatori i mirënjohur i veshjeve, me prejardhje britanike, John Galliano, ka punuar shumë veshje që u shfaqën mbi tepihun e kuq të ngjarjes më të rëndësishme të modës, MET Gala.
Galliano, mbrëmë, ka veshur dy nga nikoqirët, si dhe yje të tjerë të mirënjohur si Kim Kardashian, prezantuesen Gwendoline Christie, yllin Natasha Poonawalla e aktorin Adrien Brody.
Galliano i cili më parë ka drejtuar marka të famshme si “Givenchy” e “Dior”, aktualisht është drejtor kreativ i brendit “Maison Margiella”.

Ngjarja MET Gala, si çdo vit, edhe të hënën e parë të muajit maj u mbajt në Muzeun Metropolitan të Artit në New York, ku Instituti i Kostumeve shpalosi ekspozitën “Bukuria e Fjetur: Rizgjimi i modës”.
Kodi i veshjes çdo vit krijohet nga kryeredaktorja e revistës prestigjioze Vogue, Anna Wintour. Këtë vit ajo u inspirua nga një histori e shkurtër e vitit 1962 nga autori J.G. Ballard, një novelist, satirist e eseist britanik i njohur për veprat provokative që testonin marrëdhënien ndërmjet psikologjisë njerëzore dhe komunikimit masiv. Vepra në fjalë quhet “Garden of Time” (kopshti i kohës). Kodi i veshjes i përshtatet temës së ekspozitës që shpalosë Instituti këtë vit.

Përveç nikoqires së përhershme të mbrëmjes, Wintour, çdo vit zgjidhen nikoqirë të rinj.
Nikoqirë mbrëmë kanë qenë artistja e mirënjohur e Hollywoodit, me prejardhje latine, Jennifer Lopez, aktorja Zendaya, këngëtari i mirënjohur me prejardhje latine, Bad Bunny, dhe aktori Chris Hamsworth. Dukjet e nikoqirëve janë të parat që paraqiten në tepihun e kuq.

Zendaya, këtë herë pati dy veshje. Së pari erdhi me një fustan të kaltër të ndezur i mbështjellë nga gjethe të gjelbra e një kolibër. Pjesa e prapme e fustanit të saj ishte manipulim dramatik i materialit, punuar vetëm për të, nga drejtori kreativ i markës “Maison Margiela”, John Galliano.
Në kokë, Zendaya pati të vendosur një aksesor që i përshtatej me veshjen, nga disenjatori i mirënjohur i aksesorëve për kokë, Philip Treacy.
Stilisti i saj, Law Roach, duket sikur ishte inspiruar nga koleksioni i pranverës së vitit 1999 i markës Christian Dior, pasi edhe veshja e dytë e saj ishte punuar nga Galliano, i cili ka qenë drejtor kreativ i Dior-it për shumë vite.

Pak më vonë, Zendya u shfaq sërish mbi tepih të kuq me veshjen e saj të dytë, një fustan i gjatë i zi, nga Galliano, të cilin e kishte krijuar në muajin janar të vitit 1996 për markën “Givenchy”. Në kokë mbajti një aksesor, që duhej sikur një buqetë me lule, pjesë e vjetër nga marka “Alexander McQueen”.

Nikoqiri Bad Bunny, kishte zgjedhur një veshje ngjyrë të kaltër të errët e cila ishte e dekoruar me penj të bardhë e të kuq. Veshjen e Benitos e ka krijuar vetëm për të drejtori kreativ i markës “Maison Margiella”, John Galliano.
Ardhjen e këngëtarit mbi tepih të kuq, ku në dorë mbante një buqetë të luleve të krijuar nga i njëjti material si i kostumit, Vogue e krahasoi me një princ nga kohërat e lashta, pasi lulet e buqetës së tij quhen Flor de Maga, e cila është lule nga Puerto Rico, simbol i bukurisë e pastërtisë. (Në fabulë, Bukuroshja e Fjetur, shpon gishtin në gjembat e kësaj luleje).


Nikoqirja tjetër, Jennifer Lopez, kishte veshur një fustan të punuar me 2.5 milionë gurë vezullues, mbi material transparent nga tyli, forma e të cilit ishte inspirim nga krahët e fluturës, krijuar nga drejtori kreativ i markës “Schiaparelli Houte Couture”, Daniel Roseberry.

Nikoqiri Chris, erdhi i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ylli, Elsa Pataky. Të dy ishin veshur me brendin “Tom Ford”.
Chris kishte zgjedhur një kostum tre pjesësh më ngjyrë krem, kurse Pataky, kishte zgjedhur një veshje që, sipas saj, përfaqësonte personazhin Rapunzel në formë moderne.
“Jam shumë i lumtur që i vesha Elsan e Chrisin për këtë mbrëmje”, ka thënë drejtori kreativ i markës “Tom Ford”, Peter Hwakings, për Vogue.
Përveç nikoqirëve, si të veshur më së bukuri ishin edhe të tjerë të famshëm të pranishëm në mbrëmje si Donald Glover me një kostum nga brendi “Saint Laurent”, Tyla me një fustan të krijuar nga rëra nga brendi “Balmain”, Sarah Jessica Parker me një veshje nga “Richard Quinn”, Greta Lee me veshje nga “Loewe”, Amar Apollo po ashtu me “Loewe”, Elle Fanning me fustan brendi “Balmain”, Ariana Grande dhe Taylor Russell gjithashtu me fustane nga “Loewe”, Lana Del Rey me fustan nga “Alexander McQueen”, Kim Kardashian me fustan nga “Maison Margiella”, Lily Gladstone me veshje nga “Gabriella Hearst”, si dhe Usher me kostum nga “AlexanderMcQueen”.
