Koncertet “FireAid”, të mbajtura në Los Angeles muajin e kaluar, kanë mbledhur më shumë se 100 milionë dollarë për të ndihmuar ata që u preken nga zjarret që përfshinë Kaliforninë Jugore në fillim të vitit.
FemaleFirst ka raportuar se koncertet u mbajtën në Inuit Dome dhe Kia Forum më 30 janar, me qëllimin për të mbledhur para për viktimat e zjarreve të Kalifornisë, që lanë të paktën 20 të vdekur dhe shkatërruan mijëra shtëpi në të gjithë shtetin.
Yje të mëdhenj si Billie Eilish, Lady Gaga, Olivia Rodrigo, Green Day dhe Joni Mitchell u bashkuan për të performuar dhe për të ndihmuar në mbledhjen e parave.
Sipas njoftimeve të fundit, këto ngjarje kanë mbledhur më shumë se 100 milionë dollarë deri tash nga shitjet e biletave, shitjet e mallrave dhe donacionet nga publiku, si dhe kontributet e mëdha nga yje të njohur si grupet “Eagles” dhe “U2”, të cilët dhuruan 1 milion dollarë për fondin bamirës.
Pronari i ekipit të NBA-së në basketboll Los Angeles Clippers, Steve Ballmer, dhe bashkëshortja e tij,
Connie Snyder, premtuan të përputhen me të gjitha donacionet e bëra gjatë natës.
"Komiteti Këshillues i Fondit ‘FireAid’, i përbërë nga liderë filantropikë në rajonin e Los Angelesit, ka punuar për të identifikuar fushat kryesore të nevojës për ndikimin maksimal. I udhëhequr nga Fondacioni ‘Annenberg’, komiteti ka dëgjuar çdo ditë nga komunitetet e prekura, duke vlerësuar boshllëqet e burimeve lokale për të siguruar që ndihma të arrijë tek ata që kanë më shumë nevojë dhe duke analizuar mënyrat se si janë trajtuar katastrofat e tjera të zjarrit, si ato në Maui dhe Kaliforninë Veriore. Faza e parë e granteve pritet të jepet deri në mes të muajit shkurt”, thuhet në deklaratën e organizatorëve të “FireAid”.
Po ashtu, janë mbledhur më shumë fonde nga ceremonia e çmimeve “Grammy”, e cila mblodhi rreth 9 milionë dollarë gjatë natës së ceremonisë, si dhe 15 milionë dollarë nga ngjarjet “MusiCares” që u mbajtën gjatë javës para ceremonisë së ndarjes së çmimeve.