Aktorja e mirënjohur e Hollywoodit, Kirsten Dunst, ka treguar se ishte shokuar nga një pyetje që i kishte bërë një regjisor kur ajo ishte 16 vjeçe.
“Kam qenë njëherë vetëm në zyrën e një regjisori, i cili po më pyeste rreth pjesëmarrjes në një nga filmat e tij dhe pastaj komplet jashtë temës e pa pritur më bëri një pyetje jo të mirë”, ka thënë ajo duke mos përmendur emrin e regjisorit dhe duke thënë se nuk e di nëse ende është duke punuar, raporton FoxNews.
“Nuk më pëlqen të mendoj rreth kësaj çështje, veç dua të tregoj se ajo çka më ka pyetur s’ka pasur të bëjë asgjë me aktrimin, ka qenë diçka krejtësisht e pasjellshme. Më kujtohet që isha ulur dhe po mendoja se diçka nuk është në rregull por nuk dija se çfarë të bëja”, ka thënë tutje ajo, pa treguar se çfarë e ka pyetur regjisori.
Ylli ka treguar tutje se gjithkund e shoqëronte nëna e saj, të cilës i ka treguar për ngjarjen në fjalë dhe një gjë e tillë nuk i ka ndodhur kurrë më.
“Aty ishte fundi. Ajo me tërhoqi nga ato diskutime dhe më tha se nuk do të aktroja në atë film”, ka thënë aktorja.